Alisson tashmë ka një plan largimi nga Liverpool, me brazilianin të etur të kthehet në atdheun e tij në një fazë tjetër. Megjithatë, nuk po nxiton të largohet nga “Anfield”. Ai beson se mund të luajë deri në moshën 40-vjeçare. “Reds” e kanë “lidhur” atë me një kontratë afatgjatë, deri në vitin 2024.

Sidoqoftë, Alisson është i gatshëm të pranojë se synon të kthehet te “rrënjët” e tij, Internacional, para se t’i varë dorezat në gozhë. Për “Globo Esporte”, ai tha: “Kam dëshirë të kthehem në Brazil, por se kur do të ndodhë kjo, vetëm Zoti e di. E di që Zoti ka diçka për mua, dua të ndjek planet e Zotit për jetën time. Gjithsesi, dëshira e zemrës sime kur të kthehem në Brazil. Nëse Zoti i përgjigjet kësaj dëshire, dua të kthehem tek Internacional, në shtëpi, te klubi që dua. Unë kam shumë respekt për të gjitha klubet në Brazil, madje mund të dëshiroj të luaj për ndonjë klub tjetër, por nuk e di nëse do të isha në gjendje të kthehesha në Brazil dhe të mos shkoja tek Internacional.

Në fakt, asnjëherë nuk kam bërë shumë plane afatgjata. Logjikisht, kam pasur ëndrra, por gjithmonë me këmbët në tokë dhe shumë i përqendruar në atë që kam në dorë, atë që mund të bëj tani, në të tashmen. Kam plane për një karrierë të gjatë në futboll, për të luajtur sa më shumë në nivele të larta. Tani, nëse do të jetë deri në 35, 40 ose më shumë vjeç, nuk e di. Ama, kam edhe shumë rrugë përpara. Shpresoj të bëj më të mirën time me ekipin kombëtar dhe në Europë”.