Policia e Shtetit ka bërë me dije se në 24 orët e fundit janë gjonitur 573 qytetarë për mos mbajtje maskash në rrugë me nga 3000 lekë.
7 prej tyre janë shoqëruar në polici pasi nuk kanë pasur mjet identifikimi me vete.
Njoftimi:
Strukturat e Policisë, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë vijuar kontrollet në terren në të gjithë vendin, për të monitoruar zbatimin e masës së re për parandalimin e përhapjes së COVID-19, mbajtjen e detyrueshme të maskës mbrojtëse, e cila është detyrim për të gjithë qytetarët, që në momentin që dalin nga shtëpia.
Si rezultat i këtyre kontrolleve, gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin, Patrullat e Përgjithshme dhe ato të Policisë Rrugore kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë secili, 573 qytetarë që janë konstatuar duke lëvizur pa maskat mbrojtëse.
Gjatë kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 7 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë.
Policia e Shtetit, krahas punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, sigurimin e rendit dhe qetësisë publike, do të vijojnë punën për monitorimin e zbatimit të masave anticovid në të gjithë vendin. Në këtë kuadër i bëhet thirrje të gjithë qytetarëve që të zbatojnë masat anticovid dhe të mos dalin nga banesat e tyre pas orës 22:00 deri në orën 06:00.