Sektori i zejtarisë një prej bizneseve me traditë të lashtë në Shqipëri, produktet e të cilit janë mjaft të kërkuara nga tregu vendas, por më shumë nga ai i huaj, do të ketë për herë të parë një regjistër të të gjithë zejtarëve që operojnë në vendin tonë. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj u shpreh se një ditë më parë u ndërmor nisma “Gjej një Mjeshtër” për t’i dhënë zë zejtarëve shqiptarë dhe për të trashëguar aftësitë e tyre profesionale.

Ndërsa në mars 2021, për herë të parë do mund të kemi një regjistër të të gjithë zejtarëve të kudogjendur në territorin tonë. Rikthimi i titujve “Mjeshtër” dhe “Ndihmës Mjeshtër” për artizanët, synon jo vetëm rritjen e vlerës së punës profesionale por edhe shndërrimin e “Made in Albania” në një burim të pastër zhvillimi ekonomik përmes krijimit të sipërmarrjeve të vogla. “Për të ruajtur dhe promovuar këto vlera, u firmos marrëveshja midis Dhomës Kombëtare të Zejtarisë dhe Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive”, shprehet Denaj.