Kryeministri Rama në forumin e përjavshëm ekonomik përsëriti thirrjet ndaj qytetarëve që të bëjnë pjesën e tyre për të ndikuar në uljen e riskut të përhapjes së virusit Covid-19.

Rama tha: “Do të kërkoja dhe ndihmën e të gjithëve që të jemi sa më të vetëdijshëm që kemi në dorë, secili në pozicionin e vet por edhe së bashku si komunitet, si bashkësi që jetojmë në këtë vend, të shmangim qoftë kalimin e spitaleve në një mbingarkesë që do ta bënte praktikisht tejet të vështirë trajtimin normal në vazhdimësi të atyre që janë në nevojë dhe qoftë mbylljen e përgjithshme. Është absolutisht e domosdoshme që secili prej nesh, çdo qytetar dhe qytetare të vetëdijesohet se ka një rol për të luajtur në këto dy drejtime. Pa diskutim në radhë të parë për të mbrojtur shëndetin e vet, të afërmve dhe miqve. Duke bërë këtë jep një kontribut të jashtëzakonshëm për të ndihmuar luftën e përditshme dhe të përnatshme në vijën e zjarrit kur trajtohen pacientët e prekur nga COVID dhe që kanë simptoma të rënda, qoftë për të shmangur një mbyllje që do kishte pasoja të padiskutueshme në ekonomi.”

Ai iu përgjigj edhe pyetjes së vazhdueshme të qytetarëve në lidhje me shkollat, duke shpjeguar se vendimi për këtë u takon autoriteteve përkatëse të cilët përcaktojnë hapin e nevojshëm sipas ekspertizës së tyre. Kryeministri Rama tha se sipas të dhënave dhe orientimeve të autoriteteve shkencore, shëndetësore në të gjithë vendet, shkollat nuk konsiderohen një vatër e nxehtë por një hapësirë që si të gjitha hapësirat e tjera kanë dhe potencialin e tyre të rrezikut.

Rama shtoi se ka shumë rëndësi që masat të vijojnë të zbatohen nga çdo shkollë, siç po ndodh deri tani dhe që personeli drejtues dhe pedagogjik të jetë sa më i durueshëm dhe këmbëngulës në zbatimin e tyre. Duke cituar ekspertët, Kryeministri e mbylli fjalën e tij duke theksuar domosdoshmërinë për të mbajtur një ekuilibër midis këtij aspekti, mbrojtjes së drejtpërdrejt dhe mbrojtjes psikologjike të fëmijëve, e cila sipas tij është në rendin e ditës së kësaj vendimmarrjeje. “Është një vendimmarrje në dorë të autoriteteve tona, nuk më takon mua, nuk na takon neve” përfundoi Kryeministri Rama.