Nëpërmjet një letre publike drejtuar Ministrit nër detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, Kryetari i Kuvendit Komunal të Bujanocit, Enver Ramadani, bën me dije se pavarësisht vendimit të ministres së Administratës dhe Vetadministrimit lokal, Marija Obradoviq, për mosdhënien e pëlqimit kundrejt propozimit të 26 këshilltarëve të Kuvendit Komunal, Kryediplomati Cakaj do të mbetet “Qytetar nderi” i Komunës së Bujanocit. Siç thekson Ramadani në letrën e tij, angazhimet e Ministrit Cakaj kanë nderuar secilin nga qytetarët e Komunës së Bujanocit pa dallim feje, race dhe etnie.

“Duke kontribuar me demokratizimin e politikës proaktive e proevropiane, Gent Cakaj do të vazhdojë të jetë shembull i krijimit të hapësirave të komunikimit dhe bashkërendimit.” – u shpreh Ramadani. Sipas Ramadanit, arsyetimi i ministres Obradoviq për mos dhënien e pëlqimit ndaj propozim vendimit për shpalljen “Qytetar nderi” të Kreut të Diplomacisë Gent Cakaj, nuk flasin për të apo për komunën e Bujanocit, por pikërisht për vetë ministren dhe qeverinë që i takon ajo. “I dashur mik i vyeshëm i Komunës së Bujanoc Gent Cakaj, Komuna e Bujanocit të ka shpallur qytetar nderi pavarësisht refuzimit të ministres Obradoviq për dhënien e pëlqimit. Mik i yni Gent, ne të mbajmë të nderuar ashtu siç e do zakoni.”- përfundoi Ramadani.