Nga Artur Ajazi

Fushata elektorale e zgjedhjeve të 25 Prillit 2021, ka nisur për opozitën e vjetëruar, më herët se asnjëherë tjetër. Arsyet dihen, po ashtu edhe vendimet e marra nga kryetari de jure i asaj partie, që ka 8 vjet që thotë se “shqiptarët janë lodhur dhe mërzitur me Ramën”, e asaj partie që 2 vjet para zgjedhjeve, bën lista me “emra ministrash dhe drejtorësh” në një kohë që duhej të ishte ulur në tryeza pune dhe jo llafesh me shumicën qeverisëse, për të dakortësuar planin e përballimit të krizave, kryesisht asaj të koronavirusit. Opozita e Lulzim Bashës, është opozita e skandaleve, është opozita e panikut, frikës dhe propogandës së shëmtuar, që ai personalisht por edhe shpura e tij e telekomanduar, bëjnë pa ndërprerje ditë-natë para shqiptarëve. Muajt ikin, dhe fushata elektorale (ajo zyrtare) do të nisë një ditë, dhe natyrisht që Lulzimit nuk do ti mbetet gjë tjetër pa premtuar, pasi i ka thënë të gjitha.

Ka akuzuar, ka denoncuar, ka panikuar, ka tmerruar, ka ofenduar dhe ka larguar çdo vlerë njerësore nga ajo parti, që duhej të ishte shembulli i trashëgimisë politike në demokraci. Por ajo që shumë nga mbështetësit e Lulzimit në qendër dhe në bazë po diskutojnë ditët e fundit, pas lajmeve dhe historive të publikuara që lidhen me të kaluarën e tij, është interesimi i tyre, se ku do të jetë ai, Lulzim Basha, pas 25 Prillit 2021, në zyrë, në shtëpi, në qeverinë e ardhshme, apo diku tjetër, ndoshta në Hagë si dëshmitar ? Dhe padyshim përgjigjet nuk vonojnë, nuk mungojnë, pasi dikush thotë se “do të fitojë zgjedhjet”, dikush tjetër thotë “do të humbasë dhe do të fajësojë Jozefinën, Murrizin, Patozin”, etj, por dikush tjetër thotë se “ai edhe mund të ketë dëshirën të qeverisë me Ramën”. Por kjo e fundit nuk ka gjasa të ndodhë, pasi Edi Rama, kurrë nuk mund të gabojë, duke hedhur hapin fatal të “bashkëqeverisë me një dështak”, që nuk e duan as në partinë e tij.

Gjithsesi edhe vetë Lulzimi e di fare mirë, se zgjedhjet e 25 Prillit 2021, i ka të humbura, madje qysh sot ai po pergatitet të përballet me disfatën më të thellë të Partisë Demokratike, nga 1992. Por sërish, mitingashët e tij pyesin “ore,po ku do të jetë Lulzimi pas 25 Prillit”, sikur ta dinin se zgjedhjet ai i ka të humbura. Baza e asaj partie, ndjehet e asfiksuar, e braktisur, e poshtëruar, teksa mëson se në listat e “reja” për kandidatë për deputetë, Lulzim Basha, ka vendosur të fusë emra të panjohur, pa asnjë vlerë dhe kontribut në PD, pa asnjë CV të spikatur që do të justifikonte të paktën formimin e tyre arsimor dhe akademik. Ata do të jenë miq, farefis, apo dhe “klientë” të kryetarit dhe kunatit, por jo të votuarit e anëtarësisë. Ajo ç’ka po ndodh me atë parti sot, është as më pak, dhe as më shumë, profecia e asaj ç’ka do të ndodhë me kryetarin e saj pas 25 Prillit 2021. Gjithsesi Lulzimi e ka gati, “alibinë” e postzgjedhjeve dhe humbjes, i ka gati edhe emrat e “fajtorëve” që presin të akuzohen nga ai, si “vegla të Ramës”. Por gjithçka do të jetë një film i djegur, si mandatet e djegura, pasi fatin e tij politik, Lulzimi e ka vulosur qysh ditën e parë, kur rrëmbeu postin e pamerituar të kryetarit të asaj partie.