E ulur në një klasë të zbrazët, ku ajo jepte mësime anglishteje në vitet 1990, Jill Biden mbajti fjalën e saj në konventën e partisë demokratike pasi i shoqi ishte emëruar zyrtarisht kandidat presidencial. E ndërsa iu bashkua të shoqit në fjalimin e fitores, ky i fundit, foli për cilësitë e saj si një zonjë e parë e ardhshme. “Kjo është një ditë e madhe për edukatorët e Amerikës: Ju do të keni një prej jush në shtëpinë e bardhë dhe Jill do të jetë një zonjë e parë e shkëlqyer. Unë jam shumë krenar për të”, tha ajo.
Jill Jacobs ka lindur në 1951 në Nju Xhersi. Më e madhja nga pesë motra, ajo u rrit në Pensilvani. Para se të martohej me Joe Biden, ajo ishte e martuar me një ish lojtar futbolli, Bill Stevenson. Joe Biden humbi të shoqen dhe vajzën e tij, asokohe një vjec, në një aksident me makinë në 1972. Djemtë e tij Beau dhe Hunter, i mbijetuan aksidentit. Jill thotë se ajo u prezantua me Joe nga vëllai i tij, tre vite pas aksidentit. Asokohe ai ishte një senator, ndërsa ajo ishte ende në kolegj.
Vetë ajo ka treguar se Joe i ka propozuar asaj pesë herë para se ajo të thoshte po. Çifti u martua në Nju Jork në 1977. Vajza e tyre, Ashley lindi në 1981. 69-vjecarja Biden ka kaluar dekada duke punuar si mësuese. Veç diplomës bachelor, ajo ka edhe dy mastera dhe një doktoraturë nga universiteti i Delauerit. Para se të zhvendosej në Uashington, ajo jepte mësim në një kolegj komuniteti, një shkollë e mesme publike dhe në një spital psikiatrik për adoleshentë. Kur i shoqi ishte zv. president, zonja Biden ishte profesore e anglishtes në kolegjin komunitar të Virxhinias Veriore. Mësimi nuk është ajo që unë bëj, është ajo çka unë jam, do të thoshte vetë ajo.