Mosha e tij e bën atë presidentin më të moshuar të Shteteve të Bashkuara në histori. Joe Biden, që ka shërbyer në administratën publike për gati gjysmë shekulli, kërkoi me ngulm të ishte pjesë e fushatës për të treguar vendosmërinë e tij në çuarjen përpara të gjërave dhe ia doli të bëhet president. Pensilvania është shteti i tij, të cilin e zgjodhi edhe si fundin e etapës së fushatës zgjedhore. Me këtë shtet, Biden ruan lidhje të ngushta pavarësisht se votat e qytetarëve të tij ishin përcaktuese në fitoren e Donald Trump në vitin 2016. Që prej fillimit të karrierës së tij si këshilltar në New Castle të Delaware, vetë Amerika ashtu si edhe Biden, kanë kaluar stade të rëndësishme politike. Nga zhvillimet ekonomike, Biden do të mbahet mend si personi që ka mbrojtur historikisht tregtinë e lirë. Kulmi i karrierës së tij në këtë fushë do mund të konsiderohet viti 2009 ku në rolin e zëvendëspresidentit duhet të mbikëqyrte sistemin financiar në mënyrë që asnjë qindarkë e taksapaguesve amerikanë të mos shkonte dëm nga akti i ndihmës prej 800 miliardë dollarësh që u akordua nga administrata Obama.
Viti 1994 do të ishte një pikë e fortë për Biden në çështjet juridike dhe kriminalitetin, ku në cilësinë e kreut të komisionit juridik në Senat u bë nismëtar i reformës së re për institucionet penitenciare dhe programet për parandalimin e kriminalitetit në vend me një faturë prej afro 16 miliardë dollarësh që rezultoi e suksesshme. Krimi në vend pas këtij akti u ul me 33 për qind. Për sa i takon marrëdhënieve me jashtë, Biden e sheh praninë e forcave amerikane në botë jo si një nismë për luftë, por e vetmja mënyrë për të garantuar paqen. E teksa Trump e vuri si qëllim më vete reduktimin e trupave në Siri, Irak dhe Afganistan, Biden e mbështet këtë lëvizje, por jo në shpërnguljen totale të forcave amerikane. Presidenti i ri dëshiron që Amerika të jetë e pranishme gjithkund. Emigracioni nuk është i parapëlqyer as nga Biden. Gjatë kohës që ai shërbeu si zëvendëspresident në administratën “Obama”, ka përzënë më shumë se 3 milionë të huaj që jetonin në Amerikë në formë të paligjshme.
Cilat janë sfidat e presidentit të ri? Që në fushatë, por edhe primaret demokrate, Biden kërkoi të krijonte te njerëzit imazhin e komandantit dhe shefit në këtë kohë pandemie, duke formuluar rekomandime të sugjeruara nga ekspertët e ekonomisë dhe shëndetit publik. Në to, përfshihej këshilla e bërjes e sa më shumë testeve për koronavirus dhe bërjen e tyre falas. Të njëjtën gjë kërkoi edhe për koston e vaksinës, të mos merret asnjë qindarkë nga xhepat e taksapaguesve. Tani është momenti të shohim se si bëhen realitet premtimet e një fushate. Biden ka shërbyer si zëvendëspresident, në administratën Obama, gjatë kalimit në senat të paketës për shëndetësinë e aksesueshme lehtë dhe kujdesi shëndetësor mbetet një ndër prioritetet kryesore jo pa shkak. Çdo gjë, ka si burim tragjeditë familjare që ka kaluar; gruaja e tij e parë dhe vajza e sapolindur humbën jetën në një aksident me makinë në vitin 1972, ndërsa në 2015 i biri, Beau Biden ndërroi jetë nga kanceri në tru.
Kujdesi shëndetësor, do të pohonte ai më vonë në një dalje televizive, është një çështje “personale” për të. Përveç planit të njohur tanimë, “Obamacare”, ai këmbëngul edhe në planin e kujdesit shëndetësor për të gjithë që prek moshat madhore. Një tjetër çështje për Joe Biden, president, është edhe besimi në vlerat bipartizane dhe meqë ka qenë anëtar i senatit për vite me radhë beson fort në shtrirjen e dorës bashkëpunuese në anën tjetër, ndonëse kjo nuk gjen mbështetje brenda partisë së tij. Si një ish-pjesëtar i komitetit të çështjeve të jashtme në senat, ai ende flet me pasion të madh mbi forcimin e rolit kryesues të Amerikës në stadin botëror.(A2)