Pas kryeqytetit, Elbasani mbetet ndër qarqet me numrin më të madh të të prekurve me Covid-19. Në 24 orët e fundit, në të gjithë qërkun e Elbasanit kanë rezultuar pozitivë më shumë se 50 persona, e njëjta situatë si një ditë më parë.
Ajo që mbetet shqetësuese gjithashtu është se nga dita në ditë po shtohet numri i mësuesve të prekur me Covid-19. Në të gjithë qarkun janë më shumë se 60 mësues të prekur, ndërkohë që një numër edhe më i madh është i atyre që janë karantinuar në banesat e tyre në pritje të përgjigjes së tamponit. Pasi kanë shfaqur shenja të Covid për efekt sigurie ata janë karantinuar. Vetëm një ditë më parë, Elbasani shënonte 28 mësues të prekur, ndërsa sot janë 34. Pothuajse e njëjta situatë paraqitet edhe në kopshtet e qarkut të Elbasanit. Në Bashkinë e Peqinit, një kopsht është mbyllur pasi disa edukatore rezultuan pozitive.
Po ashtu edhe 5 nxënës në ZRVA e Elbasanit rezultojnë të prekur. Ata janë nxënës gjimnazi dhe 9-vjeçareje gjithashtu. E megjithatë mësimi nuk është ndërprerë në asnjë shkollë dhe janë marrë masat për zëvendësimin e mësuesve të prekur. Gjithsesi një proces ky më pozitiv se ai në universitete, të cilat u hapën online dhe janë ende në fazat konfuze të fillimit të një viti akademik online dhe i vështirë sidomos për studentët e viteve të para.