Kreu i Kadastrës Shqiptare, Artan Lame u ndal në Tepelenë, nga ku deklaroi se sfidë mbetet procesi i certifikimit i tokës bujqësore në të gjithë vendin. Në takimin e zhvilluar në Tepelenë, të pranishëm ishin edhe ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi si dhe deputetja e PS-së, Mirela Kumbaro. “Është turp për shtetin shqiptar që pasi jua dha tokën nuk jua regjistroi dot”, tha Lame duke e shtuar si sfidë jo vetëm për Kadastrën por edhe tek sektorët e tjerë që lidhen me investimet.

Sa i takon regjistrimit të tokave, Lame tha se do të ketë një komunikim me qeverinë nëse mund të shtyhet afati i aplikimeve që ishte parashikuar deri në 7 nëntor. Ministri Çuçi dhe deputetja Kumbaro e vunë theksin tek investimet në këtë zonë jo vetëm në bujqësi por edhe në turizëm. Kryetari i bashkisë, Tërmet Peçi vlerësoi faktin e ngritjes së shërbimit të kadastrës Tepelenë nga zyrë në drejtori rajonale, gjë e cila afron më shumë pranë qytetarëve shërbimet kadastrale si edhe përshpejton procesin e legalizimeve.