Në kohën kur të gjithë në kampin e Juventus numëronin sekondat finale të fitores në një ndeshje të rëndësishme në serinë A, zhgënjimi pllakosi në kampin e torinezëve me një barazim në shtesë.
Kampionët e Italisë u ndalën në një barazim 1-1 nga Lacio në stadiumin Olimpiko në një përballje me ritëm të kënaqshëm që nuk u reflektua thuajse fare në hierarkinë e kampionatit.
Juventus mori epërsinë pas cerek ore lojë kur një insistim i Kuadrados në të djathtë solli krosimin që u finalizua nga Kristiano Ronaldo. Sigurisht në prishjen e ekuilibrave ndikoi dhe ndërhyrja aspak perfekt e portierit Reina.
Fenomeni portugez goditi dhe shtyllën pak para pushimit ndërsa iu afrua dopietës në finale me një goditje dënimi, por gjërat u përkeqësuan në pjesën e dytë kur Ronaldo la fushën për një dëmtim.
Trajneri i Lacios, Simone Inzagi luajti kartën Kaisedo në vend të kosovarit Muriqi, dhe futbollisti nga Ekuadori firmosi barazimin në minutën e 5 shtesë.