Emigrantët shqiptarë që jetojnë në Europë tashmë do ta kenë më të lehtë të marrin pasaportë ose kartë identiteti, pasi nga Ministria e Brendshme janë hapur 6 zyra ku mund të aplikohet për këto dokumente biometrike. Zyrat e reja të aplikimit do të hapen pranë Konsullatës në Bari, Itali, si dhe Ambasadave Shqiptare në Vjenë, Austri; në Paris, Francë; në Berlin, Gjermani; në Stokholm, Suedi dhe në Stamboll, Turqi.
Tashmë janë 14 zyra në të gjithë botën ku shqiptarët mund të aplikojnë për dokumente biometrike. Ministria e Brendshme u bën thirrje të gjithë qytetarëve të nxitojnë për të aplikuar, pasi në 31 dhjetor 2020 mbaron vlefshmëria e shumë ID kartave apo pasaportave biometrike dhe nga fillimi i vitit 2021 do të ketë kufizime të shërbimeve për shtetasit që nuk kanë një dokument identifikimi të vlefshme.
Për të lehtësuar shërbimin brenda territorit të Republikës së Shqipërisë qytetarët mund të aplikojë për kartën e identiteti në çdo zyrë pavarësisht se ku e kanë gjendjen civile. Ndërkohë ministria kujton se kush do të riaplikojë për pasaportë nuk ka nevojë të plotësojë formularin e policisë, ndërkohë pranë zyrës së gjendjes civile mund të paraqiteni vetëm pasi të keni caktuar takimin online. Në ndryshimet e fundit të bëra në ligj, personat mbi 75 vjeç do të marrin kartë identiteti pa afat skadence.