Liverpooli mbetet i vetëm në krye të Premier League-s dhe “nderin” kampionëve në fuqi ia bën Newcastle, që fitoi 2-1 në “St. James’ Park” përballë Evertonit të Carlo Ancelottit. Në fakt, janë dy humbje radhazi të “Toffees”, që janë barazuar me pikë (13) nga Southamptoni dhe Wolves. Vendimtar në suksesin e “Magpies” rezultoi Wilson, autor i dy golave për vendësit. Të parin e shënoi me 11-metërsh në fillim të pjesës së dytë, ndërsa atë të rezultatit të përkohshëm 2-0 në minutën e 84-t.
Evertoni arriti të rihapte ndeshjen vetëm në minutën e parë shtesë me Calvert-Lewin, atëherë kur koha në dispozicion për të synuar të paktën barazimin ishte e pamjaftueshme. Southamptoni shpërtheu me katër gola në sfidën me Aston Villan në transfertë, por e rrezikoi seriozisht suksesin pasi skuadra nga Birmingami për pak arriti përmbysjen e madhe (3-4).
Gjatë pjesës së parë për miqtë shënuan Vestergaard dhe dy herë Ward-Prowse, ndërsa me nisjen e fraksionit të dytë Ings realizoi të katërtin. Praktikisht ndeshja u duk e mbaruar, por Aston Villa arriti të shënonte me Mings dhe në shtesë me Watkins (11-m) dhe Grealish. Nëse do të kishte ende kohë, me siguri falë entuziazmit të madh vendësit, do ta kishin shmangur humbjen.