Fillimisht mund ta ketë thënë se ashtu mund të ketë besuar vërtetë, si jo pak shqiptarë e njerëz të tjerë kudo në botë, por është e qartë se tashmë e ka shndërruar në taktikë politike për përfitime elektorale. Si të mos mjaftonte që nuk e mban vetë publikisht, kryetarja e LSI ka nisur ti kërkojë hapur edhe qytetarëve, që të mos e mbajnë maskën si masë mbrojtëse nga Covid-19!
Monika Kryemadhi është gjobitur nga policia, dy herë për mosmbajtjen e maskës në publik. Por në vend që të dëshmojë se është një qytetare që zbaton rregullat e këtij shteti, po demonstron se është një politikane që për ca vota më tepër, nuk ndalet as përpara pandemisë. Ndoshta duke nuhatur se jo pak qytetarë kanë rënë pre e teorive konspirative apo injorancës dhe neglizhencës së tyre, LSI po sheh tek mosmbajtja e maskës mbrojtëse prej tyre, një mundësi të re politike. Një hapësirë të paeksploruar propogandistike dhe një minierë të re elektorale. Është me sa duket kjo edhe arësyeja se përse jo vetëm Monika Kryemadhi, por edhe Ilir Meta që po bën parafushatë për partinë e tij nga Presidenca, nuk e vendos maskën.
Le të pranojmë për një moment se qoftë njëri e qoftë tjetri, nuk besojnë vërtetë tek pandemia globale, tek virusi apo tek fjala e shkenctarëve e mjekëve për ekzistencën dhe pasojat e saj tek shëndeti i njeriut. Le të besojmë se Ilir Meta ka imuniteti nga viruset për shkak të shqiponjës që e bën më shpesh se tjerët dhe se Monika Kryemadhi për shkak të njohurive të saj në bio-kimi dhe besimit në Zot, gëzojnë imunitetin e duhur për tiu shmangur virusit vrasës.
Pyetja që shtrohet pas kësaj, është: Mirë që covid-19 nuk ekzistoka, po Klajda Gjosha dhe Nora Malaj që kanë deklaruar se janë prekur prej tij dhe kanë dëshmuar publikisht përvojën e tyre të tmerrshme me pandeminë, a janë më pjesë e LSI? A kanë thënë ato të vërtetën në lidhje me efektet e virusit mbi shëndetin e tyre? Apo na kanë gënjyer të gjithëve? Po ish deputeti i LSI Bujar Kllogjri, një mjek i njohur dhe i respektuar jo vetëm në Elbasan që është prekur gjithashtu, a ka gënjyer edhe ai?! Ajo që mund ta qartësojë dilemën përfundimtare të Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, është përgjigja e pyetjes: A ekszitojnë përfaqësuesit dhe anëtarët e LSI, të prekur nga pandemia? Nëse ekzistojnë ata, sigurisht që edhe covid-19 ekziston. Rrugë të mesme nuk ka. Por të kesh anëtarë partie që rezultojnë pozitivë dhe u duhet të vetizolohen dhe trajtohen në spitale, e ndërkohë të mos e mbash maskën si një masë mbrojtëse për veten dhe të tjerët, është hipokrizi.
Edhe Nora Malaj që është gati të mallëngjehet sa herë që flet Kryetarja e partisë së saj, u vu në siklet të madh kur u pyet nga mediat, se si ndihej pas shërimit nga Covidi kur Monika Kryemadhi thotë se virusi nuk ekziston! Është e qartë se nuk kemi të bëjmë me mungesën e ndjeshmërisë së Ilir Metës e Monika Kryemadhit për Nora Malajn, Klajda Gjoshën, Bujar Kllogjrin e për çdo anëtar e votues tjetër të LSI që po kalon eksperiencën e hidhur të pandemisë. Kemi të bëjmë thjeshtë me një qasje politike për qëllime elektorale, e cila synon që ta zëvendësojë maskën e covidit, me fletën e votimit më 25 prill 2021. Duke besuar se ata që nuk vendosin maskën në gojë për tu ruajtur nga virusi, do e fusin votën, në kutinë e LSI.
Alpenews.al