Konsullata e Përgjithshme e Shqipërisë në Milano me anë të një njoftimi zyrtar lajmëroi sot të gjithë qytetarët shqiptarë se do të jetë e mbyllur deri në datën 3 dhjetor, pasi Lombardia në Itali është mbyllur për shkak të rritjeve të shifrave të COVID-19. “Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Milano, në zbatim të Dekretit të Kryeministrit Italian Giuseppe Conte i firmosur ne dt. 03.11.2020, i cili ka hyrë në fuqi sot në dt. 06.11.2020, komunikon se ndërpriten përkohësisht të gjitha shërbimet konsullore deri në datën 3 dhjetor 2020”, thuhet në njoftim. “Do të garantojmë shërbimin me postë si edhe vetëm rastet urgjente (si nulla osta v d e k j e). Qytetarët që kanë të fiksuar takim për pasaportë dhe kartë id, do të njoftohen nga ne me e-mail për datën e re të takimit, sapo situata të normalizohet dhe të fillojë sërish lëvizja e lirë nga një qytet në tjetrin si dhe hyrja në Lombardi rajon i konsideruar zonë e kuqe”, theksohet në njoftim.

Konsullata iu kërkon qytetarëve që të kontrollojnë vazhdimisht profilin zyrtarë në Facebook dhe faqen zyrtare në web për njoftime të reja. “Gjithashtu, ftojmë të gjithë qytetarët tanë të ndjekin me përpikmëri dhe rigorozitet të gjitha udhëzimet e qeverisë italiane me qëllim ndalimin e përhapjes së virusit COVID-19”, thuhet në njoftim.

Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte, mbrëmjen e së martës, nënshkroi ‘Dpcm’ e cila hyn në fuqi nga 6 nëntor deri më 3 dhjetor. Ky nënshkrim përmban diferencimin e rajoneve italiane me rrezikshmëri ‘të kuqe’, portokalli dhe jeshile bazuar në njëzet e një parametra. Gjithashtu duke filluar nga ora 06.00 e ditës së shtunë, datë 7 nëntor deri më 30 nëntor 2020 Greqia hyn në mbyllje të përgjithshëm kombëtar. Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Selanik njofton qytetarët se në këtë situatë do të ofrojë vetëm shërbime për raste emergjence.

Me anë të një njoftimi Konsullata thekson se, “daljet nga banesa pa arsye duhen evituar, me përjashtim të rasteve për arsye shëndetësore; për blerje dhe furnizimet e domosdoshme të përditshme; veprime bankare të domosdoshme apo takime urgjente për shërbimet publike; për të ndihmuar njerëzit në nevojë, shoqërimin e të moshuarve apo fëmijët në shkollë (me vërtetim nga shkolla); pjesëmarrje në një ceremoni funerale; lëvizja afër banesës suaj për ushtrime fizike apo kujdesi për kafshët shtëpiake; lëvizja nga shtëpia në punë, kur puna online është e pamundur”.

“Nëse ju duhet të dilni nga banesa për një nga arsyet e mësipërme, ju duhet të dërgoni një sms në numrin 13033 para se të dilni. Lëvizjet për në punë janë të lejuara vetëm me një vërtetim të lëshuar nga punëdhënësi juaj. Lëvizjet pas orës 21:00 të mbrëmjes deri në orën 05:00 të mëngjesit janë në mënyrë strikte të përcaktuara; vetëm për punë, (me një vërtetim nga punëdhënësi); vetëm për arsye shëndetësore (me sms-opsioni 1); vetëm për kujdesin për kafshët shtëpiake (me sms-opsioni 6)”, thekson Konsullata.

“Për më shumë detaje ndiqni informacionet e Qeverisë greke për masat e reja antiCovid të përditësuara. Për këto raste lutemi telefononi në numrit e emergjencës 6983661224 ose na shkruani në email-in e Konsullatës consulate . thesaloniki @ mfa . gov .al”, përfundon Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Selanik.