Duke nisur nga viti i ardhshëm fermerët e pajisur me NIPT do të përfitojnë naftë pa taksa. Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi i bëri thirrje fermerëve të pajisen me NIPT për t’u bërë pjesë e kësaj skeme mbështetëse, për të përfituar naftë pa taksa për aktivitetin bujqësor që zhvillojnë. “Ju që nuk e keni ende NIPT-in nxitoni ta merrni. Rritemi të fortë, rritemi shëndetshëm”- shprehet Çuçi.
Të rrisësh cilësinë e produkteve bujqësore do të thotë të rrisësh ekonominë e tonë. Prodhimet bujqësore janë çdo ditë në tavolinën tonë. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural mbështet fermerët me këshillim, teknologji dhe financim. Për vitin e ardhshëm, buxheti i shtetit shton edhe 1 miliard lekë në ndihmë të fermerëve për heqjen e taksave të naftës për bujqësinë.
Nga 1 janar 2021 nafta për fermerët nuk do të ketë më taksën e akzicës (37 lekë), taksën e qarkullimi (27 lekë) dhe as taksën e ndikimit në mjedis (3 lekë). Në 1 janar 2021, fermerët me me NIPT e marrin 1 litër naftë 54 % më lirë se sa është sot. Në total, për një litër naftë të përdorur për punime bujqësore, zbriten 67 lekë. Lehtësimi nga barra fiskale i naftës që përdoret për bujqësinë është një lajm i mirë për mbi 70 mijë fermerë në të gjithë vendin, nga të cilët 47600 që kanë aktualisht NIPT-in e fermerit janë automatikisht përfitues potencialë të skemës, ndërsa pjesa tjetër pritet të formalizohet brenda vitit 2021.
“Kjo politikë e re dëshmon edhe një herë vëmendjen tonë të madhe për sektorin e bujqësisë, i cili ka një peshë të rëndësishme në ekonominë e vendit dhe është rritur vit pas viti falë politikave tona mbështetëse”, shprehet Çuçi.