Mbretëresha Elisabeta e dytë ka vendosur maskë për të parën herë ndërsa shfaqet në publik gjatë pandemisë.
Monarkja 94 vjeçare, vendosi maskën gjatë një ceremonie përkujtimore në Uestminster Abbey, ditën kur Britania e Madhe nderon ata që humbën jetën në luftë. Maska e zezë, me shirit të bardhë, besohet se është bërë nga Angela Kelly, këshilltarja dhe kuratorja personale e mbretëreshës, që stilon pjesën më të madhe të veshjeve të monarkes.
Në tetor, mbretëresha Elisabetë u shfaq në angazhimin e parë mbretëror të saj, që nga fillimi i pandemisë, por nuk kishte një maskë, pavarësisht rasteve të shtuara të koronavirusit. Në Angli, mbajtja e maskës është e domosdoshme në pjesën më të madhe të ambienteve.
Mbretëresha ishte fotografuar në parkun e shkencave Porton Down, në Anglinë jugore, bashkë me nipin, William, të dy pa maska. Udhëzimet për distancim social ishin në fuqi në atë event dhe të gjithë ata që ishin takuar me mbretëreshën kishin rezultuar negativë më herët për virusin.
Pallati i Buckinghamit tha se mbretëresha kishte vendosur të mos mbante maskë pasi ishte konsultuar me mjekët e saj. Familja mbretërore u godit në mënyrë direkte nga pandemia në mars, kur princi Charles, djali më i madh i Elisabetës dhe trashëgimtar i fronit, rezultoi pozitiv. Javën e shkuar u bë e ditur se edhe princi William, i dyti në linjën e fronit kishte rezultuar pozitiv më herët në 2020, por ngjarja ishte mbajtur e fshehtë.