Shefja e Epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino, u bëri thirrje qytetarëve që të mësohen me normalitetin e ri.

Ajo tha se mbajtja e maskës është një element shumë i rëndësishëm.

Bino deklaroi se edhe pas daljes së vaksinën masat do të zbatohen derisa të sigurohet që vaksina do të ketë efekt në transmetueshmërinë e sëmundjes.

“Pavarësisht vendimeve që në marrim, strukturave që ata kontrollojnë, ajo që është më e rëndësishme është që ne të gjithë duhet të kuptojmë normalitetin e ri. Duhet të bëhemi të përgjegjshëm për atë që ndodh rreth nesh pasi një veprim i joni i pakujdesshëm bëhet shkas për vdekjen, më vjen keq që e them këtë gjë, por për vdekjen e një të moshuari, apo personi më vulnerabël, i cili preket nga kjo sëmundje. Pra mbajtja e maskave është një element aq i thjeshtë aq edhe i rëndësishëm. Të gjitha masat për parandalimin e Covid-19 nuk janë një shkencë tepër e madhe sepse njerëzit shpeshherë këto thonë, pse këtë do të zbatojmë ne, vetëm masat e thjeshta të higjienës, vetëm të distancohen.

Në momentin që mund të kemi vaksinën, kjo vaksinë mund të mbrojë ata që janë më vulnerabël apo të rrezikuar apo për të bërë forma të rënda, por përsëri këto masa do të vijojnë që të zbatohen deri kur vaksina do të ketë impakt në transmetueshmërinë e sëmundjes. Duhet të mësohemi dhe duhet të bëhemi të përgjegjshëm në lidhje me to”, tha ajo.