Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, u shpreh se “Reforma në Drejtësi është një sistem që ka bërë ndryshim tërësor në të gjithë arkitekturën e institucioneve të saj dhe si çdo gjë që fillon nga fillimi do kohën e saj të japë rezultatet e prekshme nga qytetarët”. Në një intervistë televizive, Gjonaj tha se, “ne i kemi parë rezultatet, nëse më parë gjyqtarë e prokurorë emëroheshin nga politika, sot nuk ka më gjyqtarë e prokurorë të emërohen nga politika. Ka ndryshuar tërësisht jo vetëm skema e promovimit të gjyqtarëve, por edhe e disiplinimit të tyre, duke përfshirë këtu edhe inspektimet që kryenin më përpara me kompetencat që u njihte ligji ministrave të Drejtësisë. Sot ministri i Drejtësisë nuk ka asnjë kompetencë për të kryer inspektime tek gjyqtarët dhe prokurorët, sepse Reforma në Drejtësi ngriti një institucion të ri të pavarur nga politika, që është Inspektori i Lartë i Drejtësisë”.

Ministrja theksoi se, “shumë mund të thonë se ende nuk po i shohin rezultatet e Reformës në Drejtës, por janë hedhur shtyllat kryesore të një sistemi të ri drejtësie. Kemi dy institucione të qeverisjes së drejtësisë tërësisht të pavarura nga politika, siç është KLP dhe KLGJ të cilët kanë kryer proceset e tyre, pasi janë ngritur dhe kanë qenë prioritet për sistemin e drejtësisë”. Ajo solli në vëmendje se, “KLP kreu procesin e verifikimit për prokurorët e SPAK dhe sot SPAK ka më shumë se një vit që po funksionon. Kemi emërimin e 3 gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë sipas një formule krejtësisht të re të verifikuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor të cilët po ndjekin rastet, që kanë kohë dhe vite që presin”.

Gjithashtu tha Gjonaj, “kemi procesin e pa ndodhur në asnjë vend të botës, procesin e Vetingut i cili ka dhënë një rezultat të jashtëzakonshëm, që mbase nuk ishte i pritshëm në shifrat që janë sot, por që kemi kuptuar se sa i kalbur ka qenë sistemi i drejtësisë me gjyqtarë dhe prokurorë pa integritet apo të korruptuar”. “Nuk mund të përgjithësoj të gjithë sistemin e drejtësisë me gjyqtarë dhe prokurorë që kanë probleme me integritetin, pasi ka edhe gjyqtarë e prokurorë me integritet dhe e gëzojnë funksionin e tyre vetëm në shërbim të qytetarëve. Por i gjithë kjo problematikë që u lidh me korrupsionin dhe më pas me ndërhyrjet e politikës, që në aspektin legjislativ dhe të ndikimit ishte ajo që sot ne duhet të na gëzojë për rezultatet e Reformës në Drejtësi dhe vërtetë ka problematika që lidhen me Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese, por ne sot kemi një Prokuror të Përgjithshëm i cili është zgjedhur me një formulë të re, tërësisht i pavarur nga politika. Sot ka një decentralizim të prokurorisë, ku prokurori është zot në çështjet e tij. Pra janë një sërë rezultatesh që Reforma në Drejtësi ka arritur duke vendosur organet e qeverisjes së tyre në qendër të promovimit të gjithë sistemit të drejtësisë”, – deklaroi Gjonaj.