Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) ka objektiv të japë mbështetje për modernizimin e agropërpunimit dhe për të krijuar standarde të larta të sigurisë ushqimore në prodhimin ushqimor e blegtoral. Për të parë nga afër të konkretizuar këtë mbështetje, drejtoria e AZHBR-së, Frida Krifca, vizitoi kompaninë Fresh Chicken, që po zbaton një investim me pajisje bashkëkohore për therjen e shpendëve dhe për përpunimin e nënprodukteve nga therja e tyre.

“Ku më mirë se në këtë vizitë mund ta shihja se si po ndodh ky transformim. Në vizitë tek kompania Fresh Chicken që po zbaton një investim me pajisje bashkëkohore, ku edhe mbetjet përpunohen 100%”- shprehet Krifca. Programi IPARD po mundëson këtë transformim rrënjësor që gjeneron jo vetëm produkte më cilësore për konsumatorin, konkurrueshmëri të produktit shqiptar por dhe më shumë punësim, ekonomi. “Jam e lumtur ta ndjek dhe ta avancoj këtë zhvillim hap pas hapi”- tha Krifca.