‘Rrofshin heroinat…’ Me këto brohoritje dhe duartrokitje gratë naftëtare i dhanë fund grevës së urisë dhe dolën nga ambientet për tiu bashkuar familjeve në shtëpi.

Ky vendim i grave naftëtare ka ardhur pas reagimit një ditë më parë nga Kryeministri Edi Rama i cili u shpreh i gatshëm për të negociuar me grevistet, për të plotësuar kërkesat e tyre. Pasditen e kësaj të hëne, një përfaqësi e naftëtarëve e përbërë nga 8 persona kanë shkuar në një takim me qeverinë në ambientet e Bashkisë së Fierit. Në këtë takim ka ardhur kryeministri Rama dhe kryeparlamentari Gramoz Ruçi.

Kësisoj 44 ditë grevë urie të burrave dhe grave naftëtare përmbyllen me shpresën për zgjidhje përfundimtare, të marrjes të pagave të prapambetura për 19 muaj që i kanë fituar me gjyq dhe rifillimin e punës në Uzinën e Rafinerisë së naftës në Ballsh.

Teksa kanë dalë nga ambientet e grevës gratë e kanë quajtur reagimin e Ramës një dritë jeshile, ndërsa theksojnë se shpresojnë që të mos dalin të zhgënjyera. Nga ana tjetër kreu i Sindikatës së Naftëtarëve Sokol Dautaj e ka përshëndetur vendimin e grave por i prerë ka thënë se naftëtarët nuk kanë nevojë për premtime boshe, por për plotësimin e dy kërkesave.