Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme bën të ditur se në bazë të një njoftimi të Autoriteteve të Policisë greke, do të ketë një ndërprerje të punës në Kakvijë, duke filluar nga ora 07:00 e ditës së sotme, deri në orën 07:00 të datës 25 nëntor.

Kjo ndërprerje vjen për shkak të grevës që do të zhvillohet nga punonjësit e doganës greke.

Sqarojmë se gjatë këtij harku kohor, si në hyrje dhe në dalje të doganës greke, nuk do të lejohet kalimi i automjeteve si motoçikleta, autovetura, furgonë që transportojnë qytetarë dhe kamionët që transportojnë mallra.

Përjashtim do të ketë vetëm për udhëtarët këmbësorë, kamionët që transportojnë mallra ushqimore që ruhen në kushte frigoriferike, kamionët që transportojnë kafshët e gjalla dhe automjetet për raste emergjente shëndetësore apo raste vdekjesh.

Sa më sipër, qytetarët që dëshirojnë të udhëtojnë drejt Greqisë gjatë këtij harku kohor, të shmangin udhëtimin nëpërmjet kësaj pike kalimi.