Afati kohor për dorëzimin e ofertave për ndërtimin e segmentit rrugor Milot-Thumanë- Kashar-Luzi i Vogël-Fier përfundon sot.
“Ministra e Infrastrukturës dhe Energjisë vendosi të implementojë projektin për dhënien me konçesion/partneritet publik privat për projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen, rehabilitimin dhe transferimin e segmentit rrugor Milot – Thumanë – Kashar – Luzi i Vogël – Fier. Kohëzgjatja e kontratës koncesionare/PPP do të jetë 35 (tridhjetë e pesë) vjet nga hyrja në fuqi e saj. Ndërsa afati kohor për dorëzimin e ofertave është data 9 nëntor 2020”, thuhet në shpalljen e njoftimit të Ministrisë.
Segmenti Milot-Fier, 115 km i gjatë është pjesë e Korridorit Blu, një ndër veprat madhore sa i takon infrastrukturës rrugore. Ky aks strategjik është pjesë e paketës së konektivitetit të Ballkanit Perëndimor.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi pak ditë më parë pas vlerësimit që do të bëhet nga komisioni dhe shpalljes së fituesit do të nisë puna në kantiere, pasi nuk bëhet fjalë për një kantier, por minimalisht 4, duke qenë se përfshihen edhe pjesë të rëndësishëm të infrastrukturës, siç është nyja e Tiranës apo hyrja e Rinasit,
Kjo vepër kaq e rëndësishme, theksoi ajo, pritet të ndërtohet brenda 36 muajsh.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke ju referuar edhe studimit të bërë nga WBIF, tha se ndikimi që do të ketë kjo vepër në ekonominë kombëtare do të jetë i ndjeshëm pasi parashikohet të hapen 21 mijë vende pune dhe 1.2 miliardë euro ndikim ekonomik. Ministrja Balluku njoftoi gjithashtu se pjesë e Korridorit Blu janë edhe dy projekte të tjera që përfshijnë segmentet Milot-Murriqan dhe Memaliaj-Kakavijë.