Veliaj: “Dikur Lapraka ishte bastion i gjumit, sot bastion i punës. Meta me Monikën dhe Luli me Joridën, janë kthyer në brigadierë komunaleje” Pak vite më parë,Njësia 11 në Tiranë ishte një nga zonat më të harruara, ndonëse konsiderohej një bastion i së djathtës. Sot kjo njësi është kthyer në një kantier pune, ku kopshtet, shkollat, terrenet sportive dhe rrugët po bëhen sipas standardeve më të mira. Vetëm pak metra nga kantieri i sheshit “Shqiponja”, një projekt madhor për kryeqytetin, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi punimet për këndin më të ri të lojërave në kryeqytet, që do i shtohet buqetës së 72 këndeve në vetëm pesë vite.

“Sa herë vijmë në Laprakë kemi lajme të mira. Erdhëm për hapjen e kinemasë “Maks Velo”, ku kemi transformuar të gjithë bllokun aty, po ashtu edhe për shkollat “Kennedy” dhe “Nënë Tereza” në Institut. Edhe atje patëm shumë sherr e shamata, por tani shkolla është ngritur dhe është në përfundim. Kemi qenë në fund të “Don Boskos”, zonë që e kap Lapraka, ku po ndërtojmë shkollat që do i shërbejnë Njësisë 9 dhe 11, “Vaçe Zela” dhe “Kristo Frashëri”. Edhe aty me sherr, por shkollat po lulëzojnë. Kemi filluar punimet tek “Shqiponja”, edhe aty 3 vjet sherr e pengesa, por shpresoj që njerëzit nuk do ta harrojnë se kush e bllokoi”, tha Veliaj. Kryebashkiaku nënvizoi se Njësia 11nuk është më bastion i paaftësisë dhe gjumit, por është kthyer në simbolin e punës. “Kemi krijuar një oaz: rregulluam fillimisht kopshtin dhe çerdhen, më pas shkollën “Ahmet Gashi”, filluam shkollat e reja dhe vijuam me terrenet sportive. PD-ja jo vetëm nuk e ka më bastion, sepse bastionet sot shkojnë tek ai e ajo që punojnë, jo tek ai e ajo që bllokojnë dhe thonë: i kam peng pas politikës, do i përçaj, që t’i sundoj këta njerëz. Ne i bashkojmë njerëzit dhe kjo është arsyeja pse ndihem shumë mirë që ky jo vetëm nuk është një bastion i paaftësisë dhe gjumit, por bastion i punës”, deklaroi Veliaj.

Ai theksoi se Ilir Meta dhe përfaqësuesit e opozitës janë kthyer në brigadierë në Bashkinë e Tiranës. “Jam i sigurt që do ndodhë edhe këtu, siç ndodhi te “Sami Frashëri”, do vijnë edhe këtu të thonë: betoni, betoni, betoni! Po fëmijët nuk do luajnë në llucë, shtrohet një shtresë betoni, mbi të shtrohet tartani. Do ju vijë Mona me Joridën te kangjellat, do varen këtu e do thonë: kush punoi, kush s’punoi. Lajmi i mirë është sot se vetëm një njeri po kandidon për kryeministër, Edi Rama. Ilir Meta me Monikën dhe Luli me Joridën po kandidojnë për supervizorë dhe brigadierë punimesh në Bashkinë e Tiranës. Ndaj, u themi: Kemi vende pune për supervizorë, jeni të mirëpritur, të paktën tani e dimë që ambicia e tyre është të jenë brigadierë komunaleje”, u shpreh ai. Veliaj shtoi se ky qytet e ka të qartë se cilët janë ata që punuan dhe ata që tentuan të bllokojnë projektet për zhvillimin e qytetit. “Është kollaj të ankohesh tani që po punohet, por kur të mbarojë do ia shohim dukun dhe do na kujtohet kush punoi dhe kush i bllokoi projektet. Para 5 vitesh, betejat tona për transformimin e Tiranës filluan me këndin e lojërave, me ata që merrnin pistoletën, linin presidencën dhe Parlamentin, për t’u sherrosur me lisharëset dhe lojërat e fëmijëve. Turp i madh! Më vjen mirë që ajo shprehja: “Zoti na e shtoftë inatin” ka funksionuar, kështu që çdo muaj kemi bërë nga një kënd të ri lojërash. Në 72 muaj në Bashkinë e Tiranës kemi 72 kënde lojërash”, deklaroi kryebashkiaku.

Në turin e tij në Njësinë 11, kreu i Bashkisë inspektoi edhe bllokun e banimit në rrugën “Jusuf Gervalla”, ku investimet janë shtrirë në nivel kapilar. Artan Hasanaj është një prej banorëve që jetojnë në këtë bllok dhe prej 30 vitesh ka mbështetur të djathtën. I zhgënjyer nga harresa 30 vjeçare, Hasanaj i shprehu mirënjohjen kryebashkiakut Veliaj që vuri dorë edhe në këtë zonë, e cila për herë të parë do të ketë rrjet kanalizimesh dhe asfalt. “Kjo nuk është punë as PS as PD, puna është kush punon dhe kush i jep dum gjërave, kush i çon punët deri në fund. Kush mban 100, mban edhe 200, edhe 300”, tha Veliaj. Kreu i Bashkisë u ndal edhe në banesën e re të familjes së Gjergj Markut. Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim dhe me rrjetin e saj të donatorëve, mundësoi që mbi gërmadhat e shtëpisë së vjetër të ndërtohet një banesë e re, jo vetëm më të sigurtë, por dhe me kushte shumë herë më të mira se e vjetra. Pas një inspektimi të shkurtër në gjimnazin “Aleks Buda”,Veliaj zhvilloi një bashkëbisedim me stafin e Njësisë 11, ku u kërkoi që të finalizojnë dosjet e mbetura për dhënien e dëmshpërblimeve për tërmetin.