Nga Klevis Bakillari/

Dje u votua në Kuvendin e Shqipërisë, buxheti për vitin 2021. Në fakt, për mua s’ishte një buxhet, por një buqetë sociale për qytetarët. Qeveria ka racionuar me një racionalitet të thekshëm, ka folur me  portofol  hapur për çdo zë të shpenzimeve dhe është prezantuar me kalkulime ekonomike optimiste. Rasti i situatës që ka mbërthyer globin, e ka shndërruar në demode optimizmin ekonomik. Një qeveri e majtë nuk gjenë vështirësi në çdo rast , por rrugëdalje në çdo vështirësi. Ky është shembulli. Në revanshin e rindërtimit të pasojave të shkaktuara nga tërmeti, të përkujdesjes dhe lokalizimit të rrëziqeve nga pandemia tinzare, të stolisjes së pandalshme të Shqipërisë ‘perëndimore’, qeveria lindi tezën e kurimit pansocial. Një recetë financiare e mirë në kohë vështirësish ekonomike.

‘Buxheti 2021 që u miratua në Kuvend me 84 vota pro është buxheti i krizave të rënda, të kthyera në mundësi të mëdha’ citon Ministrja dhe zëdhënësja e qeverisë znj.Spiropali. ‘Ky është buxheti i ekonomisë familjare. Ky është buxheti i drejtësisë sociale. Ky është buxheti i rimëkëmbjes. Rindërtimi,është projekti më i madh social ideuar dhe buxhetuar në Shqipëri në 30 vite. Në buxhetin e miratuar,parashikohen 28 miliardë lekë për përballimin e proçesit të rindërtimit nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019. Buxheti i rindërtimit do të mundësojë: 3,470 banesa individuale; 4,646 banesa kolektive; 145 objekte arsimore.

Miratuam pagesën e vaksinës dhe pagesën e paketës së ilaçeve për kurimin nga COVID-19 me rimbursimin e një fondi prej 1.2 mld lekë që do t’i shtohen buxhetit të shtetit për të rimbursuar çdo qytetar. Rriten pagat punonjësve në dy sektorë prioritarë, shëndetësia dhe arsimi.  8 miliardë lekë në total për rritjen e pagës me 40% për bluzat e bardha dhe 15% për mësuesit. Ky është buxheti i taksave 0 për biznesin e vogël. Rreth 30 mijë bizneseve të vogla familjare u zerohet tatim-fitimi. Rreth 32 mijë bzinese dalin nga skema e TVSH. 2.5 miliardë lekë për rritjen e pagesës së papunësisë, që kjo shtresë në nevojë të mund të përballojë këtë kohë të vështirë. Familjet me ndihmë ekonomike do të përfitojnë me këtë buxhet social dyfishin e të ardhurave. Prioritet absolut është vendosur rritja e buxhetit për bujqësinë, 950 mln lekë për skemën e rimbursimit të naftës. 300 mijë fermerë përfitojnë në ekonominë e tyre familjare nga ky buxhet. Reforma në drejtësi do të marrë një mbështetje të konsiderueshme buxhetore. Buxheti 2021 është një instrument kyç që mundëson një rikthim në shtegun normal të rritjes së qëndrueshme ekonomike, si dhe ofron një mirëqënie më të lartë ekonomike dhe sociale për qytetarët shqiptarë anembanë vendit’.

Pra, larmishmëri e koloritit të buqetës solidare. Subvencionim për individin dhe për familjen në nevojë, subvencionim për biznesin e vogël dhe biznesin e vogël familjar, subvencionim për fermerin, rritje të ardhurash për mjekët dhe mësuesit misionarë. Dhe mbi të gjitha, ky buxhet ishte një letër lakmuesi për ta verifikuar se qeveria i mbledh dhe rishpërndanë drejtë taksat e qytetarëve. Rishpërndarja e financave e bën jetën ekonomike më  liberale dhe i vë fre krizave eventuale të së ardhmes.