Nga Enver Robelli/

-Ndryshimi i Amerikës shihet te roli gjithnjë më i madh i hispanikëve (sidomos atyre me origjinë nga Kuba): religjiozë, konservatorë, të mbyllur ndaj botës. Këta ia siguruan fitoren Donald Trumpit në Texas. -Nëse aty-këtu Trump ka humbur përkrahjen e burrave të bardhë dhe të moshuarve, ai ka arritur të rrisë mbështetjen e hispanikëve, grupi votues që po shtohet më së shpejti në SHBA.

-9,4 milionë të infektuar nga korona dhe mbi 230 mijë të vdekur – duket se nuk kanë lënë pasoja të mëdha për Trumpin. -Ende është herët për të parashikuar se kush do të fitojë, por gjithçka mund të përfundojë si më 2016 – me fitoren e Trumpit. -Ka gjasa që vendimtare të jenë votat nga “Brezi i ndryshkut” (Michigan, Wisconsin dhe Pennsylvania), zona dikur industriale.

-Një gjë mund të thuhet me siguri: që Joe Biden nuk ka arritur një fitore të hershme. Dhe kjo e bën këtë garë një “luftë nervash”. -Një problem i madh te demokratët është koncentrimi i njëanshëm i tyre në temat identitare.

Për shembull: në New York me vite është diskutuar nëse duhet të ketë WC publike edhe për ata që s’ndihen as meshkuj, as femra. Po, është fantastike që në një shoqëri të jenë të gjithë të barabartë, askush të mos diskriminohet dhe secili të jetojë jetën e tij sipas preferencave intime. Por kur debati dominohet vetëm nga temat identitare (nevojtore të veçanta apo jo për ata që s’ndihen as meshkuj, as femra), atëherë nuk është befasi që bujku i arave me misër në Iowa apo hispanikët e Texasit do të votojnë për një popullist si Donald Trumpi. (Më shumë për këtë shih komentin: Beteja e madhe dhe e shtrenjtë amerikane, 29 tetor 2020)