Një tokë djerrë, e presupozuar jo pjellore për 20 vite është kthyer tanimë në jetë me prodhim cilësor që shkon për eksport. Fatosi me mbështetjen e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) nëpërmjet programit IPARD ka ngritur serrën në Çiflig, Berat me sistem ngrohje në të cilën ka kultivuar speca. Sezoni ka rezultuar mjaft i frytshëm duke dhënë 900 kv prodhim të cilat do të eksportohen.

Drejtoresha e AZHBR-së, Frida Krifca e cila vizitoi fermën bëri të ditur se ky investim i siguron sot Fatosit 2.5 milionë lekë për kulturë, duke gjeneruar kështu të ardhura për të, familjen dhe njerëzit që punësohen. Fatosi tregon se 65% e financimit për ngritjen e serrës e ka siguruar përmes programit IPARD. Serra e cila ka kushtuar 30 milionë lekë është me sistem ngrohje dhe konstruksion metalik. “Pa programin IPARD, unë nuk do ta kisha ngritur dot serrën. Falë investimit prej 65% nga IPARD serra u ngrit dhe sot çuditen të gjithë, sepse mendohej se kjo tokë nuk prodhon”, shprehet Fatosi.