Mbi 299 mijë qytetarë kanë përfituar nga dy masat mbështetëse të akorduara nga qeveria së pjesë e paketës financiare në situatën e krijuar prej infeksionit COVID-19. Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, deri më 3 nëntor kanë përfituar “pagën e luftës” prej 26 mijë lekësh për një periudhë tremujore 126 327 qytetarë, ndërsa fondi i akorduar llogaritet 6 miliardë lekë.
Ndërkohë, bonusin prej 40 mijë lekësh, referuar të dhënave të publikuara nga MFE, e kanë përfituar 172 890 qytetarë dhe fondi i akorduar llogaritet 6.9 miliardë lekë. Në total e kanë përfituar mbështetjen financiare nga qeveria 299 217 qytetarë, ndërsa fondi në total për ndihmën financiare shkon në 12.9 miliardë lekë. Dy paketat financiare u miratuan nga qeveria si mbështetje sociale për qytetarët dhe bizneset.
Paketa e parë kishte në fokus mbështetjen për biznesin e vogël dhe qytetarët duke ofruar ndihmë financiare për të punësuarit në subjektet e biznesit me të ardhura vjetore deri 14 milionë lekë, për periudhën pas ndërprerjes së aktivitetit ekonomik për shkak të gjendjes së pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, duke përfshirë personat fizikë të vetëpunësuar, punonjësit e papaguar të familjes të personit fizik tregtar, të punësuarit në personat fizikë tregtarë, të punësuarit në personat juridikë. Po ashtu u bë dyfishimi i pagesës për individët që përfitojnë pagesë të ndihmës ekonomike si dhe dyfishimi i pagesës për individët që përfitojnë pagesën e të ardhurës nga papunësia.
Paketa e dytë kishte në fokus mbështetjen për sipërmarrjen dhe punëmarrësit duke siguruar subvencionim për punonjësit e larguar dhe ata aktualë në bizneset me të ardhura mbi 14 milionë lekë të mbyllur nga urdhërat e MSHMS-së, mbështetje për të larguarit nga puna në periudhën 1 mars – 17 maj (për të gjitha subjektet e hapura apo të mbyllura nga urdhërat e MSHMS-së), subvencionim për të gjithë punonjësit e bizneseve me të ardhura nën 14 milionë lekë (përjashtuar 8000 persona në profesionet e lira, tregtia, farmacitë, përfituesit e pagës së luftës së paketës 1, etj., subvencionimi i pagës së luftës për punonjësit e strukturave akomoduese në sektorin e turizmit, mbështetje për punonjësit e rafinerisë së Ballshit (punonjës me pagë nën 100 mijë lekë/muaj) si dhe ndihmë financiare për aplikuesit e ndihmës ekonomike, të cilët rezultojnë aplikues dhe nuk janë përzgjedhur nga sistemi i pikëzimit të ndihmës ekonomike.