Kryeministri Edi Rama ka nxjerrë sot pamje nga Spitali Covid-2, ose spitali “Shefqet Ndroqi”. Teksa ofrohen plane nga përditshmëria e punës së mjekëve dhe infermierëve në shërbim të të prekurve nga Covid-19, një vend i është lënë edhe prononcimit të drejtorit të këtij spitali, Perlat Kapisyzi.
“Eshtë një staf prej 470 punonjësish që punojnë përditë me ndërgjegje dhe mbi të gjitha, me zemër. Bëhet fjalë për të sëmurë që kërkojnë një kujdes shumë më të madh. DY të tretat e pacientëve në spitalin tonë kërkojnë kujdes intensiv. Unë as në ëndërr nuk e kam menduar që ne do të pajiseshim me respiratorë të tillë, duke filluar nga donacionet, e deri tek respiratorët e ardhur si rezultat i ndërhyrjes së qeverisë shqiptare”, tha Drejtori i Covid-2.
Më tej, në lidhje me akuzat për mungesë të shtretërve, Kapisyzi tha: “Ne aktualisht kemi 170 të shtruar dhe kemi ende 30 vende bosh. Dua të sjell në vëmendje se na kanë ardhur jo vetëm respiratorë, por edhe monitorë. Pacientët monitorohen nga afër, sidomos ata të sëmurë rëndë, në dhomat e zakonshme. Deri dje ne ishim mësuar që monitorin ta shihnim vetëm në ambientet e reanimacionit. Tani, ne nuk na bën më përshtypje ta shohim në çdo dhomë”.