Nga Irsa Ruçi
Mund të flasim ditë e natë për idealin atdhetar dhe kushtet që mjedisi ynë politik duhet të plotësojë për të qenë në lartësinë e vështirësive që Shqipëria mbart; dhe vetëm një forcë e madhe dashurie për vendin mund t’i mbyllë ato plagë që na kanë lënduar për dekada. Unë, ashtu sikurse ti dhe secili prej nesh jemi në gjendje të kuptojmë si duhet të jetë çdo politikan që i qaset statusit të cilin pretendon, kriteret me të cilat shfaq synimet dhe aftësitë menaxheriale për të qenë në lartësinë e detyrës. Nuk ka asnjë prej nesh të mos e dijë cila qasje është më e mira për atdheun tonë, mall-dhembjen e përbashkët; dhe detyra jonë është të jemi vigjilentë për të kaluar në filtra çdo premtim që bëhet në emrin tonë.
Në këto kushte, aktualisht kemi një tjetër debat, i cili pas gjashtë muajsh do jetë kryefjala e të ardhmes 4 – vjeçare të Shqipërisë. Zgjedhjet parlamentare janë një gur themeli i domosdoshëm për të përcaktuar drejtimin me të cilin do udhëtojmë një mandat qevëerisës, që në vonesën tonë të ngahershme, është një kohë relativisht e gjatë, ndaj ka nevojë që debatit t’i qasemi me gjakftohtësi dhe me argumente konkrete. E vërteta është që përtej çdo fjalie të bukur, mbas çdo perfeksioni që zemra na mban peshë dhe të dëshirueshme, mundësitë për të drejtuar vendin pas gjashtë muajsh janë dy: ose do vazhdojë ta drejtojë z. Rama, ose do risjellim z. Basha. Është e kotë të kacavirremi nëpër degëzime e të bëjmë sikur me magji do gjejmë të pikuarin nga qielli për pak muaj. Janë vetëm dy mundësi, dy emra konkretë dhe të gjithë jemi të ndërgjegjshëm që njëri prej tyre do drejtojë Shqipërinë pas 25 prillit. Ndaj, në këto dy alternativa politike, secili prej nesh duhet të mendojë çfarë ofrojnë secili, në kushtet kur të dy kanë pasur pushtet në dorë. Le t’ua analizojmë shkurtimisht si e kanë përdorur secili pushtetin:
Z. Rama vjen nga një e kaluar publiciste dhe bëhet pjesë e politikës falë admirimit që kishte krijuar më parë tek njerëzit me tezat e tij në të përditshmet e atyre viteve, në luftën me penë. Drejton Ministrinë e Kulturës dhe për herë të parë thyen një mentalitet, për të modernizuar atë institucion, duke i sjellë frymë perëndimore dhe kreativitet jashtë kornizash. Ai rezultat i shërbeu si trampolinë për të drejtuar bashkinë më të madhe në vend, atë të Tiranës; ku shfaqi ambiciet të cilat i dhanë gjurmën e suksesit edhe më vonë. Nuk ka shumë nevojë për fjalë, për të përshkruar ndryshimin drastik të kryeqytetit, ku vendin e tezgave të gabit me brekë e pirgje plehrash përqark, e zunë hapësirat publike estetikisht të jetueshme dhe qyteti ju kthye sërish qytetarëve. Njerëzit e besuan dhe vlerësuan më tej, duke i dhënë votën për të ndryshuar Shqipërinë. Premtoi shumë, premtoi më shumë se këllqet që ka pasur përherë ky vend dhe mori riskun t’i dalë për zot fjalës së tij. Ja arriti? Jo plotësisht, sepse shqiptarët presin shumë më.tepër prej tij, duke e ditur deri ku mund të shkojë ambicia e kryeministrit kur ka një synim në kokë. Ndaj, njerëzit kanë pakënaqësi, sepse e dinë që çfarë bëri në 7 vite, nuk ishte gjithçka që z. Rama mund të japë për këtë vend. Ndaj synon edhe një madat, të mos i mbeten peng premtimet e pambajtura, sepse është i ndërgjegjshëm që kohën nuk do e kthejë më pas, dhe në ecjen përpara, ka objektivin të realizojë gjithçka premtoi për Shqipërinë.
Nga ana tjetër është z. Basha, i cili në politikë erdhi në mënyrë krejt rastësore dhe ammatore, e duke qenë krejtësisht anonim për shqiptarët, të cilët sërish pranuan ta integrojnë në klasën politike të vendit, duke i dhënë besimin partisë që e zgjodhi. Drejtoi 3 ministri të ndryshme, por pas çdo ikjeje u shoqërua me hije dyshimi, akuza dhe la shijen e drejtuesit të paaftë; që ndërronte dikasteret, pa mundur të ndërronte kostumin e dembelit që la në gjykimin e njerëzve. Gjithsesi, nevoja për të kërkuar ndryshimin, i bëri votuesit t’i besojnë bashkinë më të rëndësishme, atë të Tiranës. Dhe këtu filloi tragjizmi edhe më i madh për të e marrëdhënien e tij me pushtetin: arriti kulmin me atë votëbesim, por ra pikjatë në humnerën e përgjumjes politike e dështimin më të madh, i cili e shoqëron në hijet e së sotmes. Tashmë, z. Basha pretendon të drejtojë Shqipërinë, por pa pasur një plan, një vizion, një platformë drejtimi. Pa bërë asnjë përçapje me qenë pranë shqiptarëve në këtë luftë të vështirë me pandeminë, që ka pllakosur botën. Kërkon të jetë shqiptari i parë, por duke pritur fatin, a Monën t’i shtijë fall. E do postin e kryeministrit, me të vetmen arsye: “nevoja për rrotacion”. Duke dëshmuar kështu se i ka ngecur rrota si karroca Dylit në mes në qorrsokakut ku katandisi partinë e cila për vite të tëra pas ’90-ës ishte simbol i shaiptarëve dhe përcjellëse e shpresës. Z. Basha sot do i bënte nder PD-së t’ja linte stafetën një drejtuesi të aftë, një prej atyre që ajo parti ka prodhuar shumë të tillë ndër vite, në mënyrë që të jetë e denjë për të qenë parti në pozitë një të ardhme. PD nën drejtimin e z. Basha ka për të qenë veç karroca që e shtyjnë me zor një tufë njerëzish, të cilët presin të gjejnë rrotën që të ecë qerrja, e të marrin frenat, pa ditur nga do shkojnë.