Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, i është përgjigjur akuzave të ish-deputetit të Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashit se po ndryshohet ligji për Gjendjen civile për të manipuluar zgjedhjet e 25 prillit. Në reagimin e tij Lleshaj shprehet se asnjë ankesë konkrete nuk është provuar dhe se nuk ekziston asnjë mundësi që dikush të luajë me listat e zgjedhësve. ‘Asnjë pasiguri apo frikë parazgjedhore nuk justifikon përpjekjet për dezinformim të publikut nga aktorët politikë.
Që nga fillimi i muajit tetor 2020, janë publikuar 2 ekstrakte të listave zgjedhore, të cilat janë afishuar në të gjitha bashkitë si dhe janë të aksesueshme tek portali e-Albania. Asnjë ankesë konkrete për “lëvizje nga qendrat e votimit” nuk është provuar deri tani. Dhe kështu do të vijohet deri në fund. Asnjë mundësi nuk ekziston që dikush të luajë me listat e zgjedhësve. Ata që e kanë bërë vetë dikur këtë gjë dhe tani druhen se mos kjo gjë do të përsëritet nga ne, duhet të jenë të qetë dhe të qartë: ASNJË qytetar nuk mund të lëvizet drejt një adrese të re zgjedhore jashtë vullnetit të tij dhe jashtë përcaktimeve ligjore. ASNJË’, shkruan Lleshaj. (TemA)