Të forta kanë qenë akuzat e koordinatorit politik të PS-së për Qarkun Tiranë, Erion Veliaj në drejtim të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Teksa mori pjesë në një takim Asamblenë socialiste të Kavajës Veliaj i shtroi disa pyetje Bashës lidhur me çështjen e UÇK-së, duke e akuzuar liderin e opozitës në Shqipëri për tradhti kombëtare.

“Liria ka emër! Po tradhtia a ka emër? A ka një emër se kush i çoi në Hagë drejtuesit e UÇK? Ka emër kush i sajoi këto shtëpitë e verdha? Ka emër kush i nguli thikë pas shpine vëllait të vet? Ka emër ajo forcë politike, e cila votoi raportin e Dik Martit? Teksa bëjmë këtë bet ejë, për fitoren tonë më 25 Prill, duhet të flasim edhe me vëllezërit dhe motrat tona demokrate, dhe t’u themi patjetër që liria ka emër, edhe në kohët moderne, po tradhtia a ka emër? Po besëprerja a ka emër? Po thikat pas shpine vëllait tënd, a kanë emër?”, shtroi si pyetje Veliaj në fjalën e tij para socialistëve kavajas.

Ai ftoi demokratët që t’i bashkohen familjes socialiste si forca më patriotike në vend dhe theksoi se qytetarët e Kavajës e kanë të qartë diferencën që ekziston mes PS-së dhe PD-së, e cila po bën një betejë të pandershme, duke fabrikuar lajme të rreme për shtëpi të verdha apo për pandeminë. Që prej nisjes së procesit gjyqësor ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Cclirimtare të Kosovës në Hagë, në Shqipëri ka nisur një debat shumë i madh në lidhje me rolin që ka luajtur opozita aktuale dhe kryedemokrati Basha në votimin e raportit të Dick Martit në Këshillin e Evropës dhe fabrikimin e akuzave monstruoze ndaj luftës së UÇK.