Qeveria shqiptare përmes taksës progresive, zerimit të tatimit
mbi fitimin për biznesin me të ardhura deri në 14 milionë lekë në vit dhe përjashtimin
nga TVSH të ndërmarrjeve me xhiro 10 milionë lekë, synon të lehtesojë barrën
fiskale për bizneset e vogla dhe të nxitet sipërmarrja dhe punësimi, me parimin “kush
ka më shumë, paguan më shumë”.
Ndërkohë në vitin që vjen do të kemi një regjim të ri për karburantin në bujqësi. Nga 1 janari 2021 do të hiqet nga karburanti për prodhim bujqësor akciza, dhe taksa e karbonit, duke reduktuar gjysëm për gjysëm çmimin e karburantit për fermerët.
Përfitues të këtij programi pritet të jenë rreth 70 mijë fermerë në të gjithë vendin.
Programi i qeverisë për naftë falas për fermerët, funksionon me një mesatare të përllogaritur të konsumit të traktorit dhe mjeteve të tjera të rënda për punimin e një hektari tokë sipas secilës kulturë të mbjellë. Në sasinë e konsumuar, shteti lehtëson për fermerët barrën e akcizës, taksën e qarkullimit dhe taksën e karbonit, një lehtësim prej pothuajse 70 lekësh/litër. Karta e fermerit për tërheqjen e karburantit do të jetë e vlefshme në të gjitha ose një pjesë të pikave të karburantit për të cilën po punohet për t’u përcaktuar, ku fermerët do të munden të tërheqin në moment sasinë e tyre të naftës falas.
Sa i përket aplikimit ai do të jetë falas dhe në kohë reale përmes një formulari që plotësohet elektronikisht në e-Albania. Për vitin e parë, efekti në buxhet e shtetit si rezultat i kësaj nisme të qeverisë llogaritet në 1 miliard lekë. Në parashikimet e qeverisë, programi i naftës falas do të shërbejë për rritjen e prodhimit, të ardhurave në ekonominë rurale, njëkohësisht synon formalizimin e sektorit, për të rritur eksportet dhe për të identifikuar më mirë nevojat dhe fermat që do të mbështeten me subvencione në vitet në vijim.
Kjo politikë, sipas raportit të Komisionit Parlamentar të Eknomisë dhe FInancave për p/buxhetin, kërkon zëvendimin në afatgjatë me grante nga skemat kombëtare apo IPARD të financimit të bujqësisë me zgjidhje të qëndrueshme që nxisin përdorimin e energjisë së pastër dhe dielllore me qëllim dhe mbrojtjen e mjedisit.