51 zgjedhje të ndryshme – një në secilin shtet dhe një tjetër në Uashington DC. Secili shtet me rregulla dhe rregullore të ndryshme dhe pa një komision zgjedhor kombëtar për t’i treguar botës se kush fiton. Atëherë, si mund të përcaktohet shpejt dhe saktë se kush fiton postin më të lartë në Shtetet e Bashkuara? Këtu hyjnë mediat – dhe këtë e kanë bërë që nga viti 1848, kur Associated Press shpalli fitues, Zachary Taylor si president. Kolegji Zgjedhor në të vërtetë zgjedh presidentin sipas Kushtetutës së SHBA-së, duke vepruar në një proces që fillon me votën popullore në të gjithë vendin. Por, puna e tij zgjat me disa javë. Në atë zbrazëtirë të çuditshme të krijuar nga një sistem federalist dhe të përkeqësuar – në vitet 1800-ta – nga numërimi i ngadaltë, organizatat e lajmeve u shfaqën si lojtarët kryesorë në fillim, duke mbledhur dhe shtuar së bashku votat nga zyrtarët e zgjedhjeve të secilit shtet në të gjithë vendin dhe shpalljen e fituesit bazuar në atë numërim të votave.
Shumë njerëz duken të befasuar nga kjo këto metodë në ditët e sotme, përfshirë presidentin amerikan, Donald Trump. Pasi Associated Press dhe rrjetet kryesore televizive amerikane shpallën fituesin e garës presidenciale, demokratin Joe Biden, Trump shkroi në Twitter: Që nga cila kohë media “shpall fituesin për të treguar kush do të jetë presidenti i ardhshëm?”
Ja një vështrim se si u krijua ky sistem. Një proces i copëtuar Pritja e rezultateve të zgjedhjeve në ditën e njëjtë është diçka e re, ashtu si nocioni për të pasur një Ditë të Zgjedhjeve. Baballarët themelues të SHBA-së krijuan Kolegjin Zgjedhor – një seri zgjedhjesh shtetërore për të zgjedhur presidentin – kjo u bë pjesërisht për të garantuar që disa shtete do të ratifikonin Kushtetutën, thotë Alex Keyssar, një ekspert i të drejtave të votimit në Universitetin Harvard. Që nga Lufta Civile, thotë ai, politikanët nga vendet rurale dhe veçanërisht ata jugorë kanë kundërshtuar t’i japin ndonjë pushtet qeverisë federale mbi zgjedhjet. Në fillim të historisë së SHBA-së, zgjedhjet u zhvilluan për shumë ditë, dhe jo të gjitha shtetet votuan në të njëjtën ditë. Ishte shpikja e telegrafit – dhe shqetësimet që një shtet mund të ndikojë në një shtet tjetër – që çoi në një ditë të vetme të zgjedhjeve presidenciale, thotë David Greenberg, një profesor i historisë dhe gazetarisë në Universitetin Rutgers.
Sapo të mbarojnë zgjedhjet presidenciale, secili shtet zgjedh përfaqësuesit e tij në Kolegjin Zgjedhor – një numër i bazuar në madhësinë e popullsisë së secilit shtet dhe sa përfaqësues dhe senatorë ka në Kongres. Ata përfaqësues, të cilët janë betuar të votojnë për kandidatin që mori më shumë vota në atë shtet, nuk votojnë deri më 14 dhjetor. Presidenti i senatit dhe arkivisti duhet të marrin certifikatat që paraqesin rezultatet e votave elektorale jo më vonë se e mërkura e katërt në dhjetor – këtë vit më 23 dhjetor. Rezultatet e votave elektorale të secilit shtet më pas dërgohen në Kongresin e sapozgjedhur. Ata pastaj vendosin të takohen në një seancë të përbashkët në 6 janar dhe të shpallin rezultatet.
Roli i mediave Roli i mediave ndryshoi nga një instinkt për të raportuar lajmet në diçka tjetër, sepse amerikanët nuk prisnin dot për të zbuluar rezultatet deri në mes të dhjetorit. Kundër realitetit të strukturës së qeverisë së decentralizuar, askush përveç medias nuk ka qenë e gatshme të marrë përsipër koston e paraqitjes së votave, thotë Rick Edmonds, një analist për media në Institutin për Studime të Mediave Poynter. Komisioni Federal i Zgjedhjeve rregullon disa aspekte të zgjedhjeve, por nuk bën numërimin dhe publikimin e votave. Kështu që zbrazëtirë mbeti midis rezultateve të shteteve individuale dhe vendimit kolektiv të vendit. Roli i AP-së duke mbledhur numërimin e votave dhe duke analizuar të dhënat ekziston që nga koha e Luftës Civile. Rrjetet televizive amerikane filluan të bënin analizat e tyre në garën e vitit 1960 midis Richard Nixon dhe John F. Kennedy, duke ekzaminuar të dhënat dhe duke shpallur fituesit nga një shtet në tjetrin. Përpjekjet në këtë vit u komplikuan nga pandemia e koronavirusit. Njerëzit zgjodhën të votojnë më herët ose me postë, duke prodhuar një numërim më të ngadaltë të votave në disa shtete. Gara ishte gjithashtu e afërt në shumë shtete, gjë që e bën më të ngadaltë konstatimin e një fituesi. Rrjetet kryesore dhe AP shpallën fituesin në garën presidenciale të shtunën, katër ditë pas Ditës së Zgjedhjeve.
Si shpallet fituesi? AP përdor një rrjet të personave të shpërndarë në 50 shtete që mbledhin vota nga nëpunësit dhe zyrtarë të tjerë lokalë. Gazetarë të tjerë të AP-së mbledhin rezultate nga faqet e internetit të shtetit ose qarkut, si dhe përmes burimeve elektronike të të dhënave nga shtetet. Organizatat e lajmeve në të gjithë botën që marrin AP-në, përdorin këtë numërim për të raportuar mbi rezultatet. Ndërkohë, analistët në shtete dhe redaktorët në Deskun Vendimtar të AP-së kontrollojnë këtë numërim të votave të kombinuar me kërkime, duke përfshirë të dhëna demografike, historinë e votimit dhe statistikat në lidhje me votimin paraprak – në mënyrë që të shpallet fituesi.
Të shtunën në mëngjes, AP shpalli fitues demokratin Joe Biden pasi erdhi në përfundim se ai kishte fituar garën në Pensilvani, gjë që e bëri që ai të fitojë 270 votat elektorale, të nevojshme për t’u zgjedhur president. Rrjetet kryesore televizive amerikane ndjekin afërsisht të njëjtin proces, duke përdorur numërimin e votave të AP-së ose ndonjë numërim tjetër të votave nga ndonjë grup ose kompani tjetër. “Plusi për të pasur shtyp të lirë për ta bërë këtë është se shtypi i lirë është i pavarur, të paktën në teori”, thotë Keyssar. “Por, ai nuk ka status zyrtar dhe kështu konkluzionet e tij nuk janë detyruese për askënd. Kjo po krijon konfuzion ndërsa flasim”.
Deri tash nuk ka asnjë përpjekje të madhe që dikush tjetër ta bëjë këtë punë. Çka nëse ka gabime? Disa herë ka pasur gabime dhe pengesa. Në 1948, Chicago Daily Tribune publikoi në faqe se “Dewey mposht Truman”. Ky publikim u bë kur numrat e hershëm e bënë të dukej sikur Thomas Dewey ishte përpara në garë. Por, të dhënat ndryshuan dhe presidenti Harry S. Truman sfidoi parashikuesit duke shënuar fitore. Në vitin 2000, rrjetet kryesore televizive dhe AP shpallën fitues demokratin Al Gore në Florida, duke u mbështetur kryesisht në sondazhet e Ditës së Zgjedhjeve. Ndërsa numëroheshin votat, të gjithë ndryshuan kursin. Rrjetet deklaruan se republikani George W. Bush kishte fituar shtetin, por më vonë edhe atë vendim e tërhoqën. AP-ja nuk shpalli përsëri ndonjë fitues për herë të dytë, duke thënë se gara ishte shumë e ngushtë. Më shumë se një muaj më vonë, Gjykata Supreme, me një votim 5/4 ndaloi një rinumërim dhe fitues u shpall Bush.
Betejat ligjore Zyrtarë të Fushatës së Trumpit janë zotuar ta sfidojnë fitoren e Bidenit në gjykata. Të hënën, Prokurori i Përgjithshëm William Barr, autorizoi prokurorët federalë në të gjithë SHBA-në për të parë nëse ekzistojnë “akuza thelbësore” për parregullsi të votimit përpara se Kolegji Zgjedhor të vërtetojë zgjedhjet. Urdhri i tij nuk identifikoi asnjë rast specifik të mashtrimit të pretenduar. Zyra e Vendimit të AP-së merr në konsideratë sfidat ligjore dhe mosmarrëveshjet para se ta shpallë vendimin një kandidat ka fituar zgjedhjet, thotë Sally Buzbee, redaktore ekzekutive e AP. Avokati i Trump, Rudy Giuliani, po mbante një konferencë shtypi në Filadelfia të shtunën për të diskutuar pretendimet për mashtrim kur mësoi se AP dhe rrjetet e tjera kishin shpallur fituesin, pra Bidenin. Ai tha se media nuk ka ndonjë rol zyrtar në vendosjen se kush bëhet presidenti i SHBA-së.
Kjo është e vërtetë. Por, Edmonds tha se ai pret që praktika e shpalljes së fituesit nga mediat të vazhdojë. Ai thotë se tashmë një gjë e tillë është ngulitur ndërsa beson se organizatat e lajmeve mund të përmirësojnë metodat ai shton: “Unë nuk shoh ndonjë rast kur sistemi nuk ka funksionuar”./REL/