Nga Alfred Peza/
Plot 15 vjet më parë nën slloganin “Koha për Ndryshim”, Partia Demokratike zhvilloi disa muaj përpara zgjedhjeve të 2005, Kongresin e saj zgjedhor. Ishte kulminacioni politik i një procesi të brendshëm organizativ, ku krahas ekipit të saj përfaqësues në zgjedhje, themeluesve të rikthyer dhe të rinjve tër Komitetit të Orientimit të Politikave (KOP), u prezantua edhe Programi Elektoral.
Ajo që rrodhi pas kësaj, është tashmë një histori që shënjoi rikthimin e opozitës në pushtet pas 8 vjetësh në opozitë, përmes një programi ku gjithkush kishte mundësi që të shihte të paktën në letër piketat nëpër të cilat do të ecte në mazhorancë, qeverisja e PD. Ishte momenti kur “Ylli” i ri i skenës politike, po bëhej kryetari i saj aktual dhe kandidati për Kryeministër pas zgjedhjeve të 25 prillit 2021, Lulzim Basha.
Kanë rrjedhur shumë ujëra deri atëherë dhe ato 8 vite të qeverisjes së PD në koalicion pas 2009 edhe me LSI e Ilir Metës, treguan se e djathta nuk kishte mësuar asgjë nga historia e saj e para dhe pas 1997. Pavarësisht nëse nuk u zbatua pothuajse asnjë prej pikave të atij Programi Elektoral, të paktën fushata e atëhershme tregoi se PD bëri çdo përpjekje për të krijuar imazhin e një partie që po lëvizte, që po hapej derisa krijoi frymën e ndryshimit që solli rrotacionin e pushtetit në Shqipëri.
Pas 8 vjetësh në opozitë PD po kërkon tani që të rikthehet sërisht në qeverisjen e vendit, me të vetmin ndryshim nga 2005-sa e largët, se ka për kryetar Lulzim Bashën. Asgjë tjetër nuk ka ndryshuar në këto dy mandate të përpjekjeve të saj opozitare, për të përsëritur pas disa muajsh, të njëjtën histori:
Sali Berisha që ishte atëherë në krye “de jure”, është sërisht lideri “de facto” i kësaj opozite.
Themeluesit e PD dhe gjithë të ikurit e tjerër që u rikthyen atëherë, janë larguar prej kohësh sërisht dhe nuk e kanë kaluar prej shumë e shumë vitesh gardhin e SHQUP.
As Ridvan Bode që e hapi atëherë atë Kongres zgjedhor, as Jozefina Topalli që foli pas tij dhe as Bamir Topi që u ngjit në podium më pas, nuk janë më pjesë e ekipit përfaqësues të PD. Sikundër nuk janë as Majlinda Bregu, një tjetër prurje e atëherëshme e KOP. Por, as Astrit Patozi, as Genc Ruli, as Arben Imami e as shumë të tjerë që mbajtën peshën kryesore të 8 viteve që vijuan në pushtet.
Edhe pas 8 vitesh tashmë në opozitë, aleatët e PD në pritjen për tu rikthyer në pushtet janë po të njëjtët: Ilir Meta, Monika Kryemadhi, Dashamir Shehi, Nard Ndoka, Shpëtim Idrizi, Vangjel Dule, Agron Duka e Fatmir Mediu.
Vetëm pak përpara shpalljes së listës së kandidatëve për deputetë, për ekipin me të cilin pretendon që të përsërisë historinë e harruar tashmë, nuk ka asnjë prurje të re. Asnjë figurë të spikatur që pritet të çojë përpara, stafetën e brezave dhe ruatjen e traditës së profileve të larta politike të së djathtës shqiptare. Nuk ka më as KOP, as të rinj qoftë edhe pa identitet si ato që siç hynë në 2017, e që dolën sërisht nga skena tani përpara 2021.
Në vend të ardhjeve, opozita ka vetëm ikje. Në vend të prurjeve, ka vetëm rrjedhje. Përpara zgjedhjeve të 2005, partitë e reja si LSI, u krijuan nga gjiri i PS që ishte atëherë në pushtet. Ndërsa këtë radhë, po krijohen njëra pas tjetrës parti të reja vetëm nga gjiri i opozitës. Vetëm nga të ikurit nga radhët e PD. Sikundër figura të reja premtuese, po e braktisin çdo ditë të djathtën, për tiu bashkuar ekipit të PS.
Opozitës i mungon jo vetëm ekipi i ri, fabula e rikthimit dhe fryma e ndryshimit por programi elektoral. Të kërkosh që të fitosh në zgjedhje, e të mos kesh ende një program elektoral për ti treguar shqiptarëve, është si të kërkosh që të diplomohesh në një shkollë kur nuk ke patur kurrë libra.
Ku do ta shohin shqiptarët se si do jetë e ardhmja e tyre social- ekonomike, punësimi, infrastruktura, liria e biznesit, arsimi, shëndetësia, bujqësia, turizmi dhe shumë elementë të tjerë thelbësorë, kur opozita nuk ka program qeverisës për të nesërmen e tyre? Më shqetësuese sesa kjo, është fakti se po fitojnë qytetari, zërat brenda PD për të mos e patur deri në zgjedhje një program elektoral sepse nuk u duhet!
Asnjëherë më parë në historinë e sistemit demokratik, një forcë politike nuk ka ardhur në pushtet pa patur programin e saj qeverisës të së nesërmes. Ndaj, qoftë edhe nga mugesa e tij, opozita nuk mund ta përsërisi dot kurrë historinë e 2005, edhe në pranverën e 2021.