Nga Irsa Ruçi/
Ndodh rrallë dhe shënjon historinë e gjithë njerëzimit. Na ndodhi neve, epokës sonë; dhe duhet ta përballojmë me kthjelltësi mendimi e lutje shprese. Covid nuk është as shaka, as fatkeqësisht e fundit fatkeqësi me të cilën do përballet bota në vazhdim. Por është një pikë ndalese mjaftueshmërisht e dukshme në jetën tona sa për të na bërë të reflektojmë. Të mendojmë përtej të sotmes, për atë që duam nesër. Në dëshirën për ta ëndërruar të ardhmen, si një gur themeli mbi të cilin do ngrijmë përditshmërinë. Ashtu sikurse secili prej nesh ka në zemër njerëzit e dashur këto kohë të vështira, ashtu të gjithë bashkë kemi në zemër një familje të madhe, që është shtëpia jonë: atdheun.
Siç besojmë për të ardhmen e pjesëtarëve që kemi brenda katër mureve, ashtu duhet shpesh të ndalemi në përpjekjen për t’i dhënë krah të rritet e zhvillohet edhe më tej Shqipërisë sonë. Nuk mund të jemi të papërgjegjshëm e të tregojmë indiferencë në kohën kur duhet që vëmendja jonë të jetë ndjeshëm më e lartë. Konkretisht, do doja të ndalesha tek situata e pandemisë, si është menaxhuar dhe në bazë të rezultateve dhe punës së aktorëve politikë që janë në një “betejë pushteti”, të vendosim pas gjashtë muajsh se kush e meriton të drejtojë këtë vend të bekuar.
Së pari, të ndalemi tek menaxhimi i situatës. Pacient zero u shfaq tek ne në fillim të muajit mars dhe qeveria mori masat për të mbyllur gjithçka, pra një vetëizolim, në kushtet kur ne dhe çdo shtet tjetër, nuk kishim dijeninë çfarë ishtekjo flamë, fatkeqësinë që mund të shkaktonte dhe nevojitej koha e përshtatshme për të reflektuar çfarë do bëhej në vazhdim. Nga çdo shtet u pranua që Shqipëria ishte i pari vend që reagoi në mënyrë të menjëhershme dhe mori atë vendim më shpejt se vende të tjera të zhvilluara, që fillimisht neglizhuan dhe shpejt e pësuan me jetë njerëzish.
Së dyti, përgjatë kohës që aktiviteteve ju pezullua puna, secili prej tyre mori pagën e luftës, në mënyrë që askujt që punonte të mos i rëndonte mbyllja e atyre muajve. Gjithashtu, në çdo njësi administrative u shpërndanë vazhdimisht ndihma për njerëzit në nevojë, në mënyrë të koordinuar e të vazhdueshme.
Së treti, gjatë muajve të verës kur “egërsia” e virusit u ul për shkak të rritjes së temperaturave, nga qeveria u morën masat e nevojshme për krijimin e strukturës spitalore që të kishte kapacitetet e duhura për të përballuar rritjen e fluksit në një të nesërme; si dhe u krijua fronti i luftës me ekipet profesioniste të mjekëve dhe pajisjet e duhura për mjekim. Sot, spitalet Covid që janë vënë në dispozicion të kësaj lufte, janë në kushtet më të mira që Shqipëria mund të ketë qenë ndonjëherë në gjendje të prodhojë. Mos i rëntë askujt për pjesë ta vërtetojë, por situata në spitalt tona ka ndryshuar katërcipërisht dhe stafi mjekësor e çdo qytetar në hall, trajtohen me dinjitet dhe në kushtet të cilat duhet t’i kishim të tilla dekada më parë. Që sot të mos flisnim për kushte, por ta kalonim në një tjetër nivel mjekësinë tonë.
Së katërti, qeveria miratoi projekt buxhetin e vitit 2021 dhe ajo që bie në sy është rimëkëmbja e shpejtë pas kësaj lu fte që ka gjunjëzuar ekonomikisht shumë shtete të zhvilluara. Menaxhimi i mirë i buxhetit shtetëror, u dha hapësirën që për vitin që vjen të flitet për rritje pagash, më tepër investime dhe për një rimarrje të vetes shumë më shpejt, sesa vende të cilat kanë një traditë të qëndrueshme zhvillimi, por që pandemia ua lëkundi.
Këto janë shkurtimisht pikat kryesore me masat që qeveria ka marrë gjatë këtyre muajve, që prej marsit; dhe axhenda e tyre për vitin 2021. Ndërkohë, kemi krahun tjetër, që pretendon pushtetin pas gjashtë muajsh: pra opozitën. Nëse dikush prej jush di diçka, qoftë edhe minimaliste, se si ka kontribuar opozita në dobi të shqiptarëve në këtë luftë, jeni të lutur të ma vini në dijeni. Ajo që kam të faktuar është mos reagimi i opozitës deri në fillim të tetorit. Pra, që nga marsi deri në tetor, të ishte për opozitën, ne sot, larg qoftë, mund të kishim vdekur të gjithë.
Opozita nuk ka detyrën të mendojë për vendin vetëm nëse ka pushtet, se atëherë i bie që po mendojnë për karrigen e tyre, jo për Shqipërinë. Opozita duhet të luftonte në krah të çdo strukture shtetërore (jo partiake) për bashkëatdhetarët e saj. Nuk kishte dhe nuk ka ekspertizë që ta vinte në dispozicion? Atëherë, për çfarë ju duhet pushteti kur nuk kanë kushtet më minimale për t’ju qasur këtij të fundit?
Lideri i opozitës, që nga marsi deri në tetor, shpërfilli çdo shqiptar, neglizhoi çdo qytetar në vuajtje dhe u tall me çdokënd që halli e kishte çuar në dyer spitalesh, jo qejfi. Nuk tha asgjë, nuk foli fare, u zhduk nga qarkullimi në mënyrën që ai di ta bëjë më mirë sa herë që vendit i troket një fatkeqësi natyrore. Ja futi gjumit top dhe nga ëndrrat e tij u zgjua vetëm në tetor. Vetëm kur kuptoi që është gjashtë muaj para zgjedhjeve dhe duhet të bëjë sikur i intereson kjo situatë, në mënyrë qesharake tundte nëpër studio televizionesh një fletë A4, me pesë pikat e tij të famshme të cilat ishin një tallje e madhe për secilin prej nesh, që ka aq gram mend sa për të kuptuar sa pa mend ishte shkruar ajo fletë bakalli.
Ku ishte partia që përfaqëson forcën e dytë më të madhe në vend? Asnjë shqiptar nuk ja fal mos praninë, as të djathtët më ekstrem nuk ja falin që i braktisi, sepse jemi një familje dhe e vuajmë njësoj plagën që na dhemb. Opozita duhet të ishte prezente jo për qeverinë, por për njerëzit. Lulzim Basha duhet të kishte një strategji, dhe me të nuk ndihmonte Edi Ramën, por ndihmonte vendin, ndihmonte çdokënd që i ra barra ta hiqte mbi kurriz atë sëmundje. Por, ai gaboi edhe aty. Gaboi edhe në teori. Zgjodhi të flinte prapë gjumë. Të zgjohej vetëm gjashtë muaj para zgjedhjeve dhe të hidhte baltë mbi punën e mjekëve. Zgjodhi të tallej me varfërinë tonë, me gjunjëzimin përballë një të keqeje që nuk e zgjodhëm, ashtu siç asnjë vend në botë nuk e deshi, por na ra për pjesë e duhet ta heqim.
Pandemi të tilla bien një herë në shekull, a mos më shumë. Por, edhe njëherë që z. Basha kishte në dorë të rregullonte gabimet e së shkuarës së tij me pushtetin që ka shpërdoruar sa herë e ka pasur në dorë, edhe këtë herë zgjodhi të na japë urrejtjen. Na dhuroi urrejtje e indiferencë pse nuk ja dhamë atij postin e kryeministrit, e për këtë arsye iku në indiferencë; dhe me paaftësinë e tij la mungesën. Tani pretendon karrigen e kryeministrit pas gjashtë muajsh: Pse z. Basha? Pse ta meritoni ju atë karrige, cili ishte kontributi juaj? Nuk arritët të bëheshit krah njerëzve, krah mjekëve, krah ekipit të ekspertëve në ditët më të frikshme të shqiptarëve. Dhe ne jemi një popull që durojmë shumë, nuk kërkojmë llogari, por dimë t’i bëjmë mirë llogaritë. Nuk i bëjmë si ju, që mendoni se mund të na bëni për budallenj. Dimë të kuptojmë kë kemi pasur në krah, ditë pas dite, qëkurse një tjetër fatkeqësi natyrore na shembi përpara syve besimin për të ardhmen.
Sot, nuk kemi nevojë që ju të shfaqeni në rolin tuaj hamletian, dhe të ngjallni frikë tek njerëzit, të ngrini dyshime për aftësinë profesionale të atyre mjekëve që kanë një jetë në detyrë dhe nuk mendojnë partiakisht dhe të pretendoni se karrigen e kryeministrit do e merrni sa më shumë të zgjoni dëshpërimin e njerëzve. I dobëti e kërkon pushtetin duke shfrytëzuar situatën, me besimin se do i ligështojë mjaftueshëm njerëzit sa të arrijnë gjendjen e mpirjes mendërisht. I afti e merr pushtetin duke luftuar krah njerëzve të ndershëm, në një betejë që është më e vështira sot. Boll kemi fjetur për shekuj, kemi nevojë për punë, jo për fjalë. As premtime: vlen lufta në front për t’i dalë zot Shqipërisë e shqiptarëve.
Ju e humbët betejën me veten z. Basha. Është shumë e vështirë ta fitoni tani me shqiptarët. Nuk e mundni dot gjumin, por e paçi të ëmbël dhe me ëndrra të realizueshme.