Përfundon rindërtimi i shkollës “Shaqe Mazreku” në Durrës, e cila u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të shkuar.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot disa foto nga rindërtimi i kësaj shkolle, e cila theksoi ai, “është dallëndyshja e parë e një grupi prej plot 173 të tillash në krejt zonën e fatkeqësisë”.
“Këto pamje të shkollës së sapopërfunduar në Durrës, dallëndyshja e parë e një grupi prej plot 173 të tillash në krejt zonën e fatkeqësisë, janë përgjigja ime sot për të gjithë ata që përqeshin zanafillat e punëve në 3D apo përgojojnë papushim punën e pandërprerë, pa orar, qysh nga mëngjesi i 27 nëntorit 2019 për ta kthyer goditjen tragjike në një pikënisje të re, për mbi 25 mijë familje të prekura nga tragjedia, e mijëra e mijëra fëmijë të mbetur pa shkollën a kopshtin e tyre”, u shpreh Rama.
“Si kjo shkollë do shkëlqejnë të gjitha shkollat e kësaj rilindjeje pas shkatërrimit dhe të gjitha projektet e realizuara me punë të palodhur e me durim, deri kur të kemi vendosur tullën e fundit të Rindërtimit”, theksoi Rama.