Drejtoria e Përgjithshem e Tatimeve njoftoi sot se data 10 dhjetor është afati i fundit për paraqitjen e dokumentacionit të munguar për rimbursimin e gjobave të vendosura shtetasve shqiptarë jashtë Republikës së Shqipërisë, si pasojë e situatës së shkaktuar nga COVID-19. Rimbursimin e gjobave të vendosura nga autoritete të shteteve të huaja e përfitojnë shtetasit shqiptarë, të cilët për shkak të mbylljes së kufijve, kanë tejkaluar afatin e qëndrimit në këto shtete, gjatë periudhës 10 mars – 1 qershor 2020.

“Të gjithë individët që kanë kryer tashmë aplikimin, por që, edhe pas njoftimeve në vijimësi nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, ende nuk kanë plotësuar mangësitë në dokumentacionin e tyre, ftohen ta dërgojnë këtë dokumentacion brenda datës 10 dhjetor 2020 pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, nëpërmjet shërbimit postar (apo në kutinë postare në DPT ose në adresën email ankesa@ tatime .gov .al .), duke mos harruar të vendosin edhe një numër kontakti”, bën të ditur DPT.

Ndërkohë DPT ka publikuar edhe emra e 6 qytetarëve duke i ftuar ata të kontaktojnë për sqarime mbi mangësitë në dokumentacionin që kanë paraqitur. Konkretisht bëhet fjalë për shtetasit Kastriot Isufaj, Erion Lipe, Shpresim Kapaj, Shkëndi Firaku, Ardjana Dranga dhe Shpetim Bajrami.

Çdo individ, shtetas shqiptar, që është gjobitur në shtetet e huaja, për arsyen e mësipërme, duhet të dërgojë: mandatin e arkëtimit që vërteton kryerjen e pagesës së gjobës, të përkthyer dhe noterizuar, formularin e vendosjes së gjobës nga policia kufitare, vetëdeklarim për pëlqimin e individit për verifikimin e hyrje-daljeve të tij kufitare nga sistemi TIMS, sipas formatit të përcaktuar (sipas formatit bashkëlidhur njoftimit), fotokopje të dokumentit të identifikimit të individit (pasaportë, kartë identiteti), të dhënat individuale të llogarisë bankare në lekë (emër banke dhe IBAN), si dhe numër kontakti personal ose adresë email.