224 fëmijë të kopshtit “Lidhja e Prizrenit”, në Kamzë, do të kenë së shpejti një godinë me kushte optimale si në çdo vend të Europës. Kryeministri Edi Rama vizitoi sot kantierin e ndërtimit të këtij kopshti në Kamzë, i cili po ndërtohet me standarde bashkëkohore. “Kamzë – Aty ku merr po formë një nga kopshtet më të bukur të Shqipërisë, “Lidhja e Prizrenit” në Paskuqan, pas rrënimit nga tërmeti të karakatinës së vjetër”, tha Rama.

Kryetari i bashkisë së Kamzës, Rakip Suli informoi ndër të tjera se ky kopsht vjen tërësisht modern, është i projektuar me të gjitha parametrat bashkëkohore duke siguruar fjetje dhe ushqim për fëmijët. Sipas tij, kjo ndërhyrje vjen pas 30 vitesh mungesë investimesh. “Ka 4 muaj që ka filluar puna. Ky kopsht është 5 herë më i madh se sa kopshti ekzistues që u prish nga tërmeti. 224 fëmijë për herë të parë do të kenë një kopsht me ushqim dhe fjetje”, tha ai. Suli informoi se punimet për ndërtimin e kopshtit “Lidhja e Prizrenit” përfundojnë në 18 dhjetor.