Shkolla 9-vjeçare “Ramazan Subashi” në Marikaj, bashkia Vorë e rindërtuar tërësisht, pas dëmtimeve nga tërmeti i 26 nëntorit, rihap dyert për nxënësit me kushte optimale, mjedise dhe ambiente bashkëkohore. Ministri i Shtetit për Rindërtimin Arben Ahmetaj, vizitoi nga afër ecurinë e punimeve në këtë shkollë ndërsa u shpreh se, “shkolla “Ramazan Subashi” është rindërtuar sikur të jetë një pikturë e bërë me kujdes dhe dashuri. Shkollë e ndërtuar me standarde europiane që është rindërtuar në bashkëpunim me donatorët”.
“Ja dhe një tjetër shkollë, nëntëvjeçarja e Marikajt, “Ramazan Subashi”, drejt përfundimit që në 26 nëntor të jetë gati, më e bukur, më e fortë ashtu si 155 shkolla që do të rilindin nga e para”- tha Ahmetaj. “Jam shumë i lumtur që idea e kryeministrit, arkitektëve dhe prindërve që diskutuan, e shoh të bërë realitet. Në krye të 6 ditëve këtu do të kemi nxënës dhe mësimi fillon normalisht me kushte optimale”- tha Ahmetaj. Një projekt inxhinierik fantastik, 9 klasa, 3 laboratorë, klasat e parashkollorit dhe ambientet teknike, rreth 4 mijë metër katrorë ndërtim dhe mbi 9 mijë metër katrorë sipërfaqe të jashtme oborri, palestra me konstruksion të veçantë beton arme, fushat sportive dhe sera, një risi që i përshtatet profilit të zonës por edhe funksionit si qendër komunitare. Rindërtimi vazhdon, qentë le të lehin karvani do të ecë më shpejt përpara, shprehet Ahmetaj.