Në buxhetin e shtetit për vitin 2021 planifikohet një rritje prej 20% e fondeve për bujqësinë. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural do të ketë për vitin 2021 një buxhet 12.8 miliardë lekë. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj bëri të ditur se buxheti i vitit 2021 për bujqësinë është ndër më ambiciozët e viteve të fundit në funksion të përmbushjes së nevojave për këtë sektor.
Nafta pa taksa për rreth 70 mijë fermerë, tha ajo, është një ndër objektivat strategjikë të buxhetit të vitit 2021. Përjashtimi nga barra fiskale e naftës së përdorur për punime bujqësore pritet ti jap sektorit bujqësor një tjetër mbështetje në mënyrë që të rritet prodhimi, konkurrueshmëria e produkteve bujqësore dhe të formalizohet më tej sektori. Një tjetër objektiv strategjik i buxhetit të vitit të ardhshëm është gjithashtu implementimi i reformës në Shërbimin Veterinar. Parashikohet që gradualisht të punësohen mbi 400 veterinerë në këtë shërbim tejet të rëndësishëm për sigurinë e produkteve me origjinë shtazore.
Krahas disa investimeve të rëndësishme në infrastrukturën e ujitje-kullimit, gjatë vitit 2021 do të hapen kantieret për rindërtimin e 3 porteve të peshkimit në Durrës, Vlorë dhe Shëngjin me financim nga kredia italiane prej 25 milionë euro. Po ashtu, gjatë vitit që vjen subvencioni për skemën kombëtare për mbështetjen e blegtorisë, prodhimit në sera, bletarisë dhe certifikimit të standardeve të prodhimit llogaritet 804 milion lekë.