Greqia ka shënuar një rritje të numrit të infektimeve, ku si pasojë ka shtuar masat parandaluese. Sipas mediave greke, ditën e djeshme është vendosur si masë e re parandaluese ndalimi i lëvizjes nga ora 21:00 deri më 5:00. Sipas zv.ministrit grek të mbrojtjes, Nikos Hardalias, duke filluar nga data 13 nëntori, lëvizja e qytetarëve është e ndaluar në të gjithë vendin gjatë orëve të mbrëmjes dhe konkretisht pas orës 21:00 dhe deri në orën 05:00, ndërkohë lejohet lëvizja e qytetarëve që do të shkojnë në punë apo dhe në raste emergjencash.

Ndërkohë ditën e sotme zëdhënësi i qeverisë, Stelios Petsas ka treguar dhe për masa të tjera që mund të merren në rast se Greqia regjistron nje rritje të numrit të infektimeve.

“Masat më të ashpra mund të jenë një kufizim i mëtejshëm i udhëtimit, ose një kufizim i disa aktiviteteve që janë akoma hapur, të tilla si shkollat ​​dhe aktivitetet profesionale që tani po funksionojnë,”– ka thënë ai. Ndërkohë që prej fillimit të pandemisë në Greqi janë regjistruar 63,321 persona të infektuar dhe kanë ndërruar jetë 909 pacientë.