Shpopullimi i Shqipërisë është një nga kauzat kryesore të opozitës PD-LSI dhe sidomos të Presidentit Ilir Meta, i cili akuzon qeverinë se ka larguar shqiptarët nga vendi tyre për shkak PPP-ve, krimit, favorizimit të oligarkëve etj., ndërsa i ka shpallur zgjedhjet e 25 prillit 2021 një referendum kundër Edi Ramës. Por, të dhënat zyrtare jo vetëm rrëzojnë kauzën dhe propagandën opozitare me rrudhjen e popullsisë, por identifikojnë qeverinë Berisha-Meta gjatë periudhës 2009-2013, si përgjegjësen kryesore për shpopullimin e vendit. Të dhënat e INSTAT konfirmojnë uljen e popullsisë në Shqipëri për shkak të emigracionit dhe uljes së lindjeve, dhe rënia më e madhe e popullsisë rezulton pikërisht në vitet 2009-2003, kur Shqipëria është qeverisur nga partitë me në krye Sali Berishën dhe Ilir Metën.

Në vitin 2009, sipas INSTAT, popullsia në Shqipëri ishte 3,170,048 banorë. Në vitin 2013, numri i popullsisë në Shqipëri ishte 2.897.366 banorë, pra 272 682 banorë më pak. Në mes të vitit 2013 në Shqipëri ndodhi rotacioni politik, ku në pushtet erdhi koalicioni PS-LSI. Në vitin 2017 kur Edi Rama largoi LSI nga qeveria dhe fitoi i vetëm zgjedhjet, numri i popullsisë në Shqipëri ishte 2.876.591 banorë, pra 20 775 banorë më pak. PD-LSI pretendojnë se gjatë periudhës 2017-2020 Shqipëria është shpopulluar për shkak të qeverisjes. Por, sipas të dhënave të INSTAT, numri i popullsisë në Shqipëri në 1 janar 2020, është 2.845.955 banorë, pra 30 636 banorë më pak.

Të dhënat përputhen edhe me statistikat e emigrantëve ekonomikë që ka prodhuar Shqipëri çdo vit, pra personat që janë larguar nga vendi kryesisht për arsye ekonomike. Kulmi i të larguarve rezulton sërish gjatë qeverisjes PD-LSI. Vetëm gjatë periudhës trevjeçare 2011-2013, janë larguar nga Shqipëri 156 mijë shqiptarë. Pas vitit 2013, numri i emigrantëve ka rënë ndjeshëm deri në 38 mijë në vitin 2018. Të dhënat jo vetëm rrëzojnë kauzën e PD-LSI, por i veshin në të njëjtën kohë me përgjegjësinë kryesore për uljen e numrit të popullsisë.

Ndërkaq, sipas Ministrisë së Brendshme, rreth 1.5 milionë shtetas shqiptare janë jashtë territorit, ose rreth një e treta e popullsisë së vendit. Shumica e ndodhen në Itali (448 407) dhe Greqi (356 848) , megjithatë me një tendencë në rritje në vendet e Bashkimit Evropian, si dhe në Amerikën e Veriut dhe në Kanada. Emigracioni nga Shqipëria nxitet kryesisht nga arsye ekonomike, si papunësia dhe përpjekja për kushte më të mira jetese. Sipas INSTAT-it, pesë faktorë vlerësohen që ndikojnë aktualisht në emigracionin drejt BE-së, të cilët përfshijnë: mundësinë për të punuar jashtë vendit (84%), bashkimin familjar (4.6%), ndjekur nga papunësia në Shqipëri (4.2%), mundësinë për të studiuar jashtë vendit (3.5%) dhe faktorë të tjerë (3.6%).