Nga Eduard Zaloshnja

Çdo shtetas amerikan 18 vjeç e sipër e ka të drejtën e votimit (përjashto të burgosurit në disa shtete). Po për ta ushtruar këtë të drejtë, secili duhet të regjistrohet për të votuar në shtetin ku ka rezidencën. Sipas Byrosë së Censusit, në SHBA ishin 224.1 milionë shtetas me të drejtë vote në nëntor 2016. Nga këta ishin të regjistruar për votim vetëm 70.3% (157.6 milionë), dhe ndër të regjistruarit, vetëm 136.6 milionë votuan për kandidatët presidencialë.

Falë shpenzimeve gjigande dhe punës së mijra vullnetarëve në terren, shtabet e fushatave rivale, para zgjedhjeve të tanishme, ndikuan në rritjen e ndjeshme të numrit të shtetasve të regjistruar për votim. Sipas një vlerësimi paraprak të Pew Research Center, numri i votuesve të regjistruar u rrit me rreth 16 milionë (krahasuar me katër vjet më parë), ndërkohë që numri i shtetasve në moshë për votim u rrit vetëm 9 milionë.

Si rezultat, numri i votave në garën presidenciale shkoi nga 136.6 milionë në rreth 160 milionë.

Fushata e Trump-it pati më shumë sukses në kontetë rurale (ku dominon), për rritjen e numrit të të regjistruarve për votim, se sa pati fushata e Biden në kontetë urbane e suburbane (ku dominon), për të regjistruar përkrahësist e tij. Kështu, në qytete të mëdha si Philadelphia, Detroit, Orlando etj. vetëm gjysma e popullsisë së rritur ishte e regjistruar për votim (të paregjistruarit banojnë kryesisht në getot e popullsisë me ngjyrë). Në qoftë se do të kishte patur më shumë sukses në fushatën e regjistrimit për votim në zonat urbane, epërsia e Biden-it do të kishte qenë më e madhe, si në votën popullore, ashtu edhe në Kolegjin Elektoral.