Një ndër sfidat me të cilat përballet qeveria është edhe ajo e rritjes së sigurisë në rrugë. Në akset tona rrugore ekzistojnë disa zona ose siç njihen në gjuhën teknike, pika të zeza. Këto cilësohen si të tilla, për faktin se mundësia për të pësuar aksident fatal në këto zona është e lartë.
Autoriteti Rrugor Shqiptar informoi sot se puna për eliminimin e 10 pikave të zeza në rrjetin kombëtar është drejt përfundimit. Sipas ARRSH-së, ndërhyrjet konsistuan kryesisht në përmirësime në gjeometri, instalime ndriçimi, ndërtim trotuare në zona urbane, apo përmirësim në sinjalistikë horizontale e vertikale. Njëkohësisht ARRSH informoi se po vijon puna, gjithashtu, për projektin e përmirësimit të 10 pikave të tjera nga rrjeti rrugor kombëtar. “Mbrojtja e jetës së të gjithë përdoruesve të rrugës, është prioritet”, bën të ditur të ditur ARRSH.