Ministria e Brendshme u bën thirrje qëytetarëve që të rezervojnë sa më shpejt takimin me Zyrat e Aplikimit, për t’u pajisur me dokumentet e identifikimit që skadojnë. Zv.ministrja e Brendshme, Romina Kuko ka deklaruar se janë 1 milion karta identiteti që skadojnë, ndërsa apeloi që qytetarët të aplikojnë për të shmangur radhët në këtë situatë pandemie. Në lidhje me shërbimin për dhënien e kartave të identiteti të cilat përkojnë në vitin e rinovimit të tyre, Kuko tha se jemi në limitin e fundit.
“Ne kemi dalë që në fillim të vitit për të bërë komunikimin për pjesën e kartave të identitetit sepse në vitin 2020, 1 milionë karta identiteti skadojnë. Jemi realisht në momentet kritike ku qytetarët do të duhet së paku të rezervojnë takimet e tyre për të bërë aplikimin për kartat e identitetit. Unë e di që është angari për këdo që të bëjë një aplikim, por është e domosdoshme”, tha Kuko. Zv.ministrja pohoi se personat mbi 75 vjeç nuk aplikojnë për karta identiteti duke ua konsideruar të vlefshme. Në lidhje me ankesat për ndryshimin e vendbanimit dhe listat zgjedhore, Kuko tha se është sqaruar disa herë nga Ministria e Brendshme. “Afishimi i ekstraktit të dytë të listave zgjedhore është bërë të dielën e kaluar ku bashkitë janë të detyruar të afishojnë listat zgjedhore pranë zyrave të tyre. Qytetarët mund të shkojnë dhe të kontrollojnë emrat e tyre dhe ministria ka një faqe për aplikim në këto raste, por është bërë për pjesë e sistemimit të personave, sepse ka persona me dy vendbanime pasi paraqiten me dy prona. Megjithatë jemi duke punuar me gjendjen civile për ta zgjidhur këtë problem”.