-Ambasadori i BE në Shqipëri, Luigi Soreca, në një intervistë për Deutsche Welle komentoi procesin e hapjes së negociatave për Shqipërinë. I pyetur për mbajtjen e Konferencës së Parë ndërqeveritare BE-Shqipëri, Soreca tha se, “teksti i kornizës negociuese për Shqipërinë është pranuar nga të gjithë”. “Mendoj se Këshilli i Përgjithshëm dërgoi një sinjal shumë të fortë për faktin se puna duhet të vazhdojë për të dy vendet deri në ditën e fundit të Presidencës Gjermane. Si për Shqipërinë ashtu edhe për Maqedoninë e Veriut, shtetet anëtare janë të gatshme të miratojnë atë që ne e quajmë kornizën e negociatave. Këto janë rregullat e lojës për të dy vendet për vitet në vijim deri në momentin kur do të fillojnë negociatat”, u shpreh Soreca.
Sipas tij, një prej shteteve anëtare e ka bllokuar, për fat të keq, këtë miratim për Maqedoninë e Veriut, ndërsa teksti i kornizës negociuese për Shqipërinë është pranuar nga të gjithë. “Pra, nëse do të ketë ndonjë zgjidhje të mosmarrëveshjes dypalëshe në lidhje me Maqedoninë e Veriut, atëherë të dy kornizat negociuese ende mund të miratohen para fundit të vitit. Ky është objektivi i Presidencës Gjermane, ky është objektivi i Bashkimit Europian. Thirrja e Konferencës Ndërqeveritare është tjetër gjë, miratimi i kornizës negociuese është kushti për të thirrur Konferencën Ndërqeveritare”, u shpreh ai.
Soreca shtoi se, “për të thirrur Konferencën Ndërqeveritare për Shqipërinë, siç e dini që nga marsi i këtij viti, janë identifikuar disa kushte”. “Ka disa prej tyre që ende duhet të plotësohen, dhe kjo është e qartë, kjo është arsyeja pse unë them se mesazhi është që puna duhet të vazhdojë. Kjo është thënë nga Ministri Roth, kjo është thënë nga Komisioneri Varheley dje në takim”, tha Soreca.
“Çfarë pune duhet bërë për të vazhduar? Së pari, siç përmendët Gjykata Kushtetuese. Javët e fundit kam bërë disa herë thirrje që Këshilli i Emërimeve në Drejtësi të përshpejtojë punën në lidhje me vlerësimin dhe renditjen e kandidatëve në tri pozicionet e hapura. Është përmendur gjithashtu zbatimi i Ligjit Zgjedhor. Unë mendoj se kjo çështje ka dy nën-elemente, njëri ka të bëjë me opinionin e Komisionit të Venecias, i cili siç e dini do të publikohet më 10 dhjetor dhe do të ndihmojë për të dhënë qartësi në lidhje me çështjen mbi të cilën ka një mosmarrëveshje politike midis qeverisë dhe opozitës parlamentare dhe asaj jashtëparlamentare. Çështja u ngrit nga Presidenti, siç e dini”, theksoi Soreca.
“Tjetra është zbatimi konkret i Ligjit Zgjedhor në funksion të zgjedhjeve, të cilat do të zhvillohen më 25 prill. Kjo është gjithashtu e rëndësishme për sa u përket përgatitjeve teknike. Kohët e fundit jam takuar me kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe gjithashtu jam i kënaqur të njoftoj se dy ekspertët që Bashkimi Evropian ka premtuar në momentin e miratimit të Marrëveshjes së 5 qershorit kanë filluar të punojnë me Komisionin për identifikimin biometrik, që është një nga përfundimet shumë të rëndësishme të Marrëveshjes së 5 qershorit. Kështu që këto gjëra duhet të zhvillohen, duhet të përshpejtohen. Le të shohim se ku jemi deri në fund të vitit para se të mbarojë Presidenca Gjermane. Dhe ky është mesazhi që del nga takimi i djeshëm, sipas mendimit tim dhe ne e mbështesim plotësisht atë”, u shpreh ai.
I pyetur për zgjedhjet parlamentare që do të zhvillohen në Prill 2021 dhe nëse është kjo klimë politike një tjetër ndëshkim për këtë proces, Soreca tha se, “Po, vërtet, klima ka pësuar rritje së fundmi sa i takon ‘temperaturës’, por kjo është normale, mendoj, në çdo vend, para se të shkohet në zgjedhje kaq të rëndësishme për Shqipërinë”. “Komisioni Europian në Raportin Vjetor të botuar në 6 Tetor, thotë se duhet rivendosur dialogu politik në vend. Kjo do të thotë që ne shpresojmë se duke ecur drejt zgjedhjeve, partitë ndërsa sigurisht ndjekin interesat e tyre politike, çka është e natyrshme në çdo demokraci, gjithashtu do të përqendrohen në atë që unë e quaj emëruesin e përbashkët minimal, për të cilin të gjithë bien dakord, që është integrimi në BE. Le të përqendrohemi dhe të sigurohemi që kur bëhet fjalë për integrimin në BE, secila palë mund të gjejë një mënyrë për ta ndihmuar Shqipërinë për të ecur përpara. Sigurisht që ndarjet janë të natyrshme dhe në Shqipëri kjo është padyshim një prirje, por unë si Ambasador i BE-së dua t’i bëj thirrje të gjithëve që të përqendrohen tek emëruesi i përbashkët minimal, që është integrimi në BE”, u shpreh ambasadori i BE-së.
Soreca tha se, “reforma në drejtësi është shumë e vështirë, është e komplikuar. Unë e njoh gjyqësorin, e di ç’do të thotë të ndryshosh mënyrën se si funksionon sistemi gjyqësor në një vend. Është më e afërta me sovranitetin e një vendi. Po merr kohë, ndoshta më shumë nga sa prisnim. Tani është koha jo për t’u kthyer pas, por për të shkuar përpara dhe për të përforcuar burimet në dispozicion për të përshpejtuar ritmin”.