Në projektbuxhetin e shtetit për vitin 2021 parashikohet një fond prej 1.8 miliardë lekësh për strehimin social. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj gjatë raportimit të saj në Komisionin Parlamentar të Ligjeve bëri të ditur se 1.5 miliardë lekë janë parashikuar si bonus për qiratë e banesave për personat që u prekën nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit që lamë pas.
Sipas saj, fondi për bonusin e qirasë për banesat e të prekurve nga tërmeti është më i ulët gjatë vitit që vjen krahasuar me këtë vit, pasi një pjesë e madhe e kantiereve që janë të hapura pritet të mbyllen vitin që vjen, duke rikthyer banorët në shtëpitë e tyre të rindërtuara. Këtë vit, qeveria akordoi si bonus për qiratë e banesave për të dëmtuarit nga tërmeti 3 miliardë lekë. Ndërkohë, theksoi ajo, 300 milionë lekë është fondi i parashikuar për kompensimin e interesave të kredive për strehimin social për të amortizuar efektet sociale në strehim për mbështetjen e shtresave në nevojë.