E shumëdiskutuar si vendi që doli kundra rrymës duke mos vendosur karantinën ndaj koronavirusit, Suedia ka marrë së fundi disa masa kufizuese, të rralla për këtë vend. Kështu janë ndaluar eventet publike që përfshijnë ndeshjet sportive si dhe grumbullimet e më shumë se tetë personave në një vend. Restorantet dhe baret do të qëndrojnë të hapura, por nga ora 10 e mbrëmjes nuk do të servirin më alkool, e në përgjithësi, do të kenë një kapacitet më të kufizuar. Qytetarët, duket se i mbështesin masa të tilla.
“Mendoj se masat e reja janë të domosdoshme, sepse virusi po përhapet gjithandej. Them se duhet të mbajmë të gjithë distancë”, shprehet Renee Gloria Ohrwall, banore e Stokholmit. “Për mua, këto masa janë një gjë e mirë. Po sëmuren shumë njerëz dhe duhet të mendojmë edhe për sistemin shëndetësor, me çfarë barre e çfarë pune përballet ai. Krahasuar me atë, sakrifica që kërkohet nga ne është e vogël”, tregon banorja Elena Osokina.
“Mua këto kufizime nuk më prekin shumë dhe nuk jam kundër. Problemi është për periudhën afatgjatë, se nëse zgjasin në kohë, atëherë nuk do të mund të shkojmë ne vende si kinematë apo teatrot”, rrëfehet rezidenti Lars Raxell. Infektimet e reja dhe shtrimet në spital janë shtuar në mbarë vendin, duke i shtyrë autoritetet suedeze të ndryshojnë kursin e ndjekur deri më tani gjatë pandemisë. Vaka e dytë e sëmundjes nuk e ka kursyer as këtë vend, ashtu si pjesën tjetër të Evropës. Suedia ka regjistruar gjithsej 166,700 raste dhe mbi 6,000 që nga fillimi i pandemisë.