Nga Irsa Ruçi
Çfarë janë në thelb takimet e përditshme të z. Basha nga karrigia e tij opozitare? Sepse, ajo çka lideri i opozitës u ofron aktualisht atyre që begenis për t’i dëgjuar, është vetëm SHOW mediatik. Ashtu siç realisht duket pas çdo takimi: nuk ju jep as mbështetje, e as nuk paraqet një alternativë për problematikat që ata shfaqin. Pra, mbledh çdo ditë njerëz nga zyrat e selisë që drejton, për të mos lënë karrigen e rehatshme; dhe bën muhabet e merret me përgojime; e më e forta është që në fund nuk ka një program me të cilin të ballafaqohet me ta. Vë gishtin mbi punën e qeverisë dhe ankohet, shan, bën të indinjuarin, qurravecin; po se çfarë zgjidhje propozon, këtu ngec: Nuk ka zë, ka vetëm një letër A4 me të cilën argaliset nga ekrani dhe fsheh paaftësinë e tij. Pse nuk ka një propozim konkret si duhet punuar me ato 5 pikat e famshme të cilat nuk lë dalje pa i përmendur? Sepse thjesht pika të shkruara në një letër, në kushtet kur nuk mban asnjë përgjegjësi për to, mund të shkruaj unë, mund të shkruash ti, mund të shkruajë secili nga ne dhe t’ ja tundim qeverisë nga një studio në tjetrën. Madje jo 5, po 15 opinione, mendime, dëshira në sirtar; njëjtë si z. Basha. Çështja është: A ka këllqe të bashkëpunojë me qeverinë, që të vërtetojë sa të zbatueshme janë ato pika të hedhura si shashka në ajër, në terrenin tonë?
Pasi mblodhi për disa javë rresht ditë për ditë median dhe i tregonte përralla, i fliste për Edi Ramën dhe dështimet e qeverisë, pa dhënë argumente, por thjesht me patos, e gjitha që mbahej mend në fund ishin gafat. Në këndvështrimin tim nuk qenë aq “naive” dhe të pafajshme ato broçkulla që tregonte me zell. E dinte që nuk mund të mbahej mend për asgjë tjetër nëpër ato dëgjesa, ja njeh bagazhin vetes dhe e kupton fare qartë se fjalët e tij janë pa përmbajtje dhe artikulohet thjesht për të tërhequr vëmendje dhe gafrrohet me këmbët e veta, në mënyrë që të bëjë viktimën. Që askush mos merret me atë që tha, me thelbin bosh të fjalës së tij, por të ndihet i bullizuar dhe të marrë mëshirën e njerëzve, sepse po “sulmohet” për lapsuse.
Do të lërë idenë se e keqja e vetme e tij janë lapsuset, ndërkohë që e keqja e 10-të viteve pushtet që ai pati dhe e shpërdoroi, nuk i ka dalë akoma këtij vendi nga lëkura. Ka zëra që thonë “mos të merremi me të shkuarën.” Dakord shumë jam dhe unë, le ta lëmë të shkuarën në harresën tonë dhe vetëdijen e historisë. Çështja është që nuk po ikin ata që kanë bërë tragjedi në të kaluarën dhe duan ta kthejnë atë kohë sërish. Dhe z. Basha është njëri prej tyre, që në tre ministri që drejtoi u shoqërua veç me skandale dhe mos mundje të menaxhojë institucionet që iu besuan. I vuri kapakun punëve me Tiranën, të cilën e qelbi fund e krye. Çfarë i ka mbetur tani: të kthejë gjithë Shqipërinë në një humnerë, si herën e fundit që pati pushtetin dhe të bëjnë sërish rrumpallë me Monën dhe Metën?
Në këndvështrimin tim, strategjia e z. Basha është një përpjekje për të bërë spektakël dhe për të krijuar një gjendje ankthi e dëshpërimi tek njerëzit (duke përfituar nga emocionaliteti i brishtë që të gjithë kemi këto kohë të vështira, aq më shumë duke pasur parasysh që përjetuam disa tragjedi natyrore rresht). Por, ajo që më habit është papërgjegjshmëria, sesi në kulmin e fluksit të punës në kushte pandemie, ja lejon ndërgjegjja të zgërdhihet ekraneve pa më të voglën droje; si një njeri pa punë që është, e që atë punë ka deri në 25 prill, të gajasë dynjanë! Gajasu gafaxhi, gajasu: Por me veten, jo me shqiptarët dhe as mos guxo të tallesh për së dyti me këtë vend.